Vedat Muriqi ka folur sot shkurt për të ardhmen e tij.
Sulmuesi kosovar u rikthye së fundmi nga Belgjika, ku nuk arriti t’i kalonte vizitat mjekësore.
28 vjeçari iu nënshtrua sot përsëri kontrolleve mjekësore, por këtë radhë tek klubi që e mban kartonin e tij – Lazio.
Përkundër këtij fakti, përfaqësuesi kosovar nuk e sheh veten më duke luajtur për “Biancocelesti”
“A do të mbetem në Lazio? Jo”, është përgjigjur shkurt prizrenasi pasi u pyet nëse do të qëndrojë më apo jo në kryeqytetin italian.
Muriqi ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025, por e pati një eksperiencë zhgënjyese për një vit e gjysmë aty, duke i realizuar vetëm dy gola, ndërsa i kishte bërë edhe dy asistime.
Pasi opsioni Club Brugge dështoi, tash Lazio do të mundohet ta sistemojë diku tjetër “Piratin”.
Muriqin e do Mallorca, pasi i kaloi gjashtë muaj mjaft pozitivë në Spanjë, duke i realizuar 5 gola dhe duke i bërë 3 asistime në 16 ndeshje, me ç’rast e ndihmoi klubin ishullor të mbetet në ligën elitare spanjolle.
Në Turqi e pëlqejnë Galatasaray dhe ish-klubi i tij, Fenerbahçe, kurse në Angli e do Hull City.