Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër ftese për tajkim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Ai e ka ftuar atë për konsultime para konstituimit të Kuvendit dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë.
Në letrën dërguar Abdixhikut, Kurti ka propozuar datën 9 prill, orën 15:00, ose datën 10 prill, orët 9:00 ose 14:00.
Nga LDK nuk janë deklaruar rreth pjesëmarrjes në takim.
Por, Gazeta Blic nga burime brenda LDK-së merr vesh se Abdixhiku nuk do të shkojë në takim te Kurti.
“Jo, jo, sipas të gjitha gjasave nuk shkojmë në takim me Kurtin”, tha një prej zyrtarëve të lartë në LDK.
Nga kjo parti ka qenë vetëm nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri që në KlanKosova, në në emisionin “DPT te Fidani” ka thënë se letra për të nuk ka qenë befasi, duke mos dhënë detaje të tjera lidhur me takimin e mundshëm.
Por, letra e Kurtit drejtuar Abdixhikut ka ngjallur reagime të shumta gjatë ditës edhe nga zyrtarë të partive të tjera e shoqëria civile.
Ata i kanë kujtuar Kurtit se opozitën i quante ‘hajvanë’, përfshirë edhe Abdixhikun, dhe se tani po i kërkon takim për formim të Qeverisë