Ftesa që Goran Bregoviqit iu bë për të kënduar në Festivalin e Birrës në Korçë nxiti shumë reagime mes shqiptarëve të Kosovës e atyre të Shqipërisë.
Madje, disa artistë kosovarë edhe anuluan pjesëmarrjen e tyre në këtë festë pasi kuptuan se edhe këngëtari serb ishte njëri prej performuesve aty.
Sipas analistit kosovar, Krenar Gashi, “Bregoviq është thjesht shumë serb për të qenë i pranueshëm për shumicën e shqiptarëve të Kosovës, ashtu si shumë artistë shqiptarë që janë shumë shqiptarë për të qenë të pranueshëm në Serbi”.
“Lista përfshin të famshme botërore si Rita Ora e Dua Lipa”, shkroi ai në Twitter.
Kjo sipas Gashit i ka rrënjët qysh në kohën e ish Jugosllavisë, kur identiteti shqiptar u bë i mundur vetëm përmes mohimit të shqiptarizmit: “Një shqiptar në Serbi është i mirë për aq kohë sa ai ose ajo është më pak shqiptar në kulturë dhe vlera” dhe se “Tani ekuacioni i njëjtë punon anasjelltas – shqiptarët e Kosovës pranojnë vetëm serbë që në njëfarë mënyre janë më pak serbë. Shpesh, kjo thjeshtohet se një serb i mirë, i pranueshëm, është ai që kërkon falje për mizoritë e luftës dhe njeh pavarësinë e Kosovës”, shtoi ai.
Këto postime u kundërshtuan nga disa komentues të tij, ku njëri nga ta i replikoi: “Ke lënë pa përmendur faktin se cilat ishin pasojat e mospranimit si shqiptar nga serbët dhe çfarë lloj “kompromisesh” keni bërë për t’u pranuar. Ndërsa kompromisi që një serb tani duhet të bëjë është që t’i pranojë dhe dënojë krimet e bëra”.