A ka gjasë që SHBA-ja dhe Rusia të arrijnë një marrëveshje pa Ukrainën?

A ka gjasë që SHBA-ja dhe Rusia të arrijnë një marrëveshje pa Ukrainën?

Gjatë kësaj jave u mbajtën dy samite urgjente në Evropë dhe u panë deklarata shqetësuese nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke vënë në pah frikën në kryeqytete, që nga Kievi e deri në Londër.

Veçanërisht, që Uashingtoni dhe Moska mund të tentojnë të arrijnë një marrëveshje të tyren për të ardhmen e Ukrainës pa Kievin dhe aleatët e SHBA-së në Evropë.

Zyrtarët amerikanë kanë mohuar se dëshirojnë ta përjashtojnë këdo nga procesi. Por, sugjerimi i SHBA-së se Evropa nuk do të jetë në tavolinën e negociatave ka shkaktuar alarm të gjerë dhe atmosfera pozitive nga takimi SHBA-Rusi në Riad më 18 shkurt gjithashtu ka shqetësuar shumë njerëz.

Në këtë fazë, janë dy pyetje kryesore: a do të jenë në gjendje Uashingtoni dhe Moska të pajtohen për një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe nëse do ta arrinin këtë, çfarë do të mund të bënte kushdo për këtë çështje?

Shtëpia e Bardhë është e qartë që do paqe. Nuk është e qartë nëse diçka të tillë e do edhe Moska. I dërguari i posaçëm i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, Mark Kellogg, shkoi në Kiev më 19 shkurt disa orë pasi sulmet ajrore ruse gjatë natës goditën Ukrainën. afër 250.000 persona mbetën pa rrymë në qytetin-port të Odesës, teksa temperaturat ishin nën zero.

Në Moskë, ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, i tha Dumës shtetërore se “kriza nuk duhet të zgjidhet me një armëpushim”.

Nëse Kremlini është i gatshëm për një marrëveshje, ai duket se është i gatshëm që të vendosë kushte të mëdha. Skenari më i tmerrshëm për Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë është që Uashingtoni do të pajtohet me një kusht të këtij lloji.

Related Articles