A ka shënuar progres dhe çka i ka mbetur në “derë” Kosovës që nga shpallja e pavarësisë – Flet Isa Mustafa për Enigmën

A ka shënuar progres dhe çka i ka mbetur në “derë” Kosovës që nga shpallja e pavarësisë – Flet Isa Mustafa për Enigmën

Rrugëtimi i gjatë e i vështirë për popullin dhe vet Kosovën, sot shënon 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

17 shkurtin, ditën kur u shpall Pavarësia e Kosovës, ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili për disa vite ushtroi disa nga funksionet më të larta shtetërore për Gazetën Enigma e kujton si një nga momentet të rëndësishme në karrierën e tij

“Ishte ditë e plotësimit të ëndrrave të shumë brezave. Diçka që po ndodhte përnjëmend, jo e shkruar në mure, e deklaruar në demonstrata e protesta, fshehur nga policia serbe, por në Sallën e Parlamentit të Kosovës”, tha Mustafa, duke theksuar se ishte një përjetim historik dhe i paharrueshëm.

Mirëpo, se sa ka shënuar progres tash e 15 vite, Mustafa për Gazetën Enigma thotë se gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç kanë dëshiruar, por sipas tij edhe nuk kemi të drejtë të mohojmë shumë të arritura në shtetndërtim.

Pavarësia e Kosovës është njohur mbi 110 shtete, e kjo sipas Mustafës duhet vlerësuar dhe të mos harrohet ku shteti ka qenë para 23 vjetëve.

Cilat sfida i kanë mbetur në “derë” Kosovës?

Ish-kryeministri i Kosovës, thotë se problemet që i kanë mbetur në derë Kosovës, janë ato me Serbinë, të cilat sipas tij po e ngulfatin vendin.

“Në derë kanë mbetur problemet me Serbinë, të cilat po na ngulfatin dhe s’po arrijmë të merremi me çështje të brendshme. Me ekonomi, punësim, shkollim cilësor, shëndetësi”, tha ai.

Ndër të tjera, ish-kryetari i LDK-së thekson se të rinjtë në masë të madhe po lëshojnë Kosovën.

“Të rinjtë po ikin jashtë, ky është problem i problemeve. Sepse shteti dhe ardhmëria ndërtohen për gjeneratat e ardhshme”, theksoi ai.

Me këtë rast, ai i lut qytetarët që të mos e lëshojnë Kosovën.

Ajo se çfarë po e sfidon Kosovë  dhe jo vetëm, janë edhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, që sipas tij kanë degraduar keq.

Ai thekson se marrëdhënia e Kosovës me ndërkombëtarët, përfshirë këtu edhe Bashkimin Evropian dhe çështja e liberalizimit të vizave, mbeten në një terr informativ.

“Qytetarët dhe ndërkombëtarët e kanë përkrahur Vetëvendosjen që ta merr pushtetin. Jo moti, para dy viteve. Prandaj le të merren vesh ndërmjet veti. Të bëjnë zgjidhje për të cilën marrin përgjegjësi. Gjërat kanë degraduar keq, jemi kthyer shumë mbrapa, por nëse punohet me përkushtim mund të përmirësohen”, shtoi Mustafa për Gazetën Enigma.

Mustafa përmend edhe marrëdhëniet e Kosovës me partnerin strategjik ShBA-në, derisa thekson se do të ishte dëm i madh për Kosovën, nëse ekzekutivi aktual nëse nuk i bashkërendit veprimet me ShBA-në.

“Ajo që duket jashtë nuk do të thotë se gjithmonë është pasqyrë e politikës. Por gjithsesi do të ishte dëm i madh për Kosovën nëse nuk bashkërenditen veprimet me SHBA-në”, ka thënë ai.

Se a mund t’i jap epilog dialogut plani franko – gjerman, Mustafa thotë se këtë mund ta bëjë vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përmbyllet me njohje reciproke. Mes tjerash, ai thekson se plani franko – gjerman i jep epilog dialogut edhe për tetë vite lojë shtesë.

Si rrjedhi procedura për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës

Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari dorëzoi propozimin e tij në Kosovë dhe Serbi, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës. Hap ky që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.

Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Presidenti, në mbledhjen e mbajtur më 17 shkurt të vitit 2008.

“Në, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur se sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari dhe propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. 11 deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit.

Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.

Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovës apo në rajon”.

Ndërsa, më 18 shkurt 2008 presidenca e Bashkimit Evropian njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin Pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën, përveç Qipros, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës vazhdojnë të mos e njohin. /Gazeta Enigma/.

Related Articles