A po përdoret rasti Dehari për interesa politike?

A po përdoret rasti Dehari për interesa politike?

Pas një heshtje për një kohë të gjatë është rikthyer në skenën politike rasti i Astrit Deharit, nga deputeti i Vetëvendosjes Haki Abazi, i cili “goditi” me disa deklarata për këtë çështje, shkruan Gazeta Enigma.

 Deputeti Abazi kishte deklaruar drejtuar Qeverisë se duhet t’i kërkoni video incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari.

Deputet i Vetëvendosjes, Haki Abazi

“Video incizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës, kanë sjellë tek shkarkimi dhe anatemimi brenda LVV-së. Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për sqarim të rastit Dehari” – deklaroi Abazi.

Tutje, deputeti Abazi hodhi dyshime se si është e mundur që në qeverisjen e LVV-së dhe një vend të monitoruar 24 orë nga kamerat, të zhduken mostrat e këtij rasti.

“Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme, ne nuk mund të rrimë të heshtur përballë këtij procesi dhe duhet ta zbardhin këtë çështje. Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë me kamera, dihet qartë se kush ka hyr tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë nën mostra tjetra dhe janë zhdukur”- shtoi Abazi.

“Mendoj që Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balan dhe Flutura Goga Bajrami” – shtoi ai.

Ndërsa, sot, në Kuvendin e Kosovës deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në fjalimin e tij ka adresuar kritika ndaj Qeverisë “Kurti”, në lidhje me rastin e Deharit.

Deputet i PDK-së, Hisen Berisha

Berisha, gjithashtu akuzoi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, duke i thënë se ka interes të mos zbardhet ky rast.

“Vetëvendosja i përdor për qëllime dhe përfitime politike, kjo është evidente. As pas ekspertizës zvicerane për këtë rast nuk ka ndonjë epilog në zbardhjen e këtyre rasteve, dhe interesi i politikës në këtë rast, LVV-së është që ky rast të mos zbardhet”, deklaroi Berisha në Kuvend.

Pas kësaj deklarate, u agravua situata ku ministrja Haxhiu dëgjohej duke bërtitur teksa e godiste tavolinën.

“Marre të koftë”, dëgjohej teksa Haxhiu i thoshte Berishës.

Por si e shohin këtë çështje analistët politik, e cila ritheksohet nga opozita tash e disa herë?!

Politologu i njohur Fidan Ukaj, në një përgjigje për Enigmën theksoi se rasti i Astrit Deharit po keqpërdoret nga akterët politik të Vetëvendosjes.

Politolog, Fidan Ukaj

Sipas tij kjo çështje po shfrytëzohet për poena politik.

“Është e dhimbshme se si rasti Dehari përdoret dhe keqpërdoret sa here ju duhet akterëve politik që kanë qenë në Vetëvendosje ose atyre që po dalin nga LVV-ja, por edhe vet Vetëvendosjes në raste të caktuara kur asaj i duhet për poena politik”, theksoi Ukaj për Enigmën.

Ky rast është tragjik dhe duhet të trajtohet si i tillë, e të mos përdoret për qëllime personale politike.

“Rasti Dehari është një rast tragjik dhe si i tillë duhet të trajtohet vetëm nga profesionistët e fushës e asesi të ipen kualifikime e konkluza nga akter politik për inate të tyre personale apo edhe për përfitime votash”, përfundoi Ukaj.

Ndërkohë që Haki Abazi është intervistuar nga Prokuroria, pas deklaratave që i dha për rastin Dehari.

“Kam marrë ftesën nga Prokuroria, unë i jam përgjigjur ftesën. Prokuroria ka qenë jashtëzakonisht korrekte në procesin e intervistimit si dëshmitar. Të gjitha pjesët e tjera janë pjesë e Prokurorisë. Është çështje e Prokurorisë të merret me këtë çështje dhe të realizojë drejtësinë”.

Abazi ka thënë se nuk do të ndalet, pavarësisht limitimeve dhe presionit që mund t’i ushtrohet. “Ajo që them unë edhe si deputet, edhe si qytetar i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohet e drejta e fjalës, nuk do të ndalem që pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë nga presioni deri në realizimin e të drejtave të mia si deputet dhe qytetar në një shoqëri normale. Pjesa tjetër është politike, presioni mund të shkojë në drejtime të ndryshme”.

Më 8 dhjetor 2022 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se janë zhdukur provat për rastin e vrasjes së Astrit Deharit./GAZETAENIGMA/

Related Articles