Kur nuk po ka rrymë diku nuk ka as ujë, kjo për shkak se sistemi i furnizimit të ujësjellësit është i lidhur me rrymë.
Për shfrytëzim të energjisë Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” paguan mbi 2.5 milionë euro.
Por, jo shumë kosovarë po e paguajnë ujin që përdorin, ndonëse me pagesat e bëra ujësjellësi mbulon të gjitha shpenzimet e veta.
Por, sa para borxh ia kanë konsumatorët KRU “Prishtinës” në dy dekadat e fundit?
“Borxhet janë mbi 45 milionë euro në këto 20 vjet të pasluftës dhe borxhet që po flasim për vitin 2021 nuk është se janë të vogla. Por, borxhi i vjetër vazhdon të jetë i lartë dhe vazhdon të rritet në 100%”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa.
Xhafa tha se për shkak të borxheve kanë dërguar te përmbaruesi çdo dy muaj nga 600 lëndë.
Madje, problematikë sipas zyrtarëve të KRU “Prishtina” vazhdon të jetë aspekti i rasteve sociale që nuk po trajtohen ligjërisht, siç ndodh me pagesat e energjisë elektrike që i subvencionon ministria e Mirëqenies Sociale.
Anash pagesave, nuk do të ketë ndërprerje të ujit në pjesën e parë të këtij viti.
“Sa i përket vitit 2022 unë besoj që nuk do të ketë probleme me furnizim me ujë, sepse jemi në një periudhë ku do të kemi reshje nga janari deri në pranverë”.