Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar ndaj, siç i quan kjo parti, shpifjeve dhe gënjeshtrave nga zëvendësministri i Infrastrukturës nga radhët e Vetëvendosjes, Hysen Durmishi ndaj të tjerëve.
Në reagimin e AAK-së thuhet se Shpifjet e Durmishit në adresë të ish ministrit Lekaj, vijnë pas përfundimit të 100-ditëshit të dështuar të qeverisë së dështuar.
“Shpifjet e Durmishit në adresë të ish ministrit Lekaj, vijnë pas përfundimit të 100-ditëshit të dështuar të qeverisë së dështuar, që suksesin e vetëm e ka në instalimin e nepotizmit (mbi 20 të punësuar në poste të larta shtetërore, të afërm të ministrave e deputetëve të partisë-shtet), si dhe ngutinë në shkarkimin e bordeve për t’i zëvendësuar ato me borde partiake, e deri te shkarkimi pa arsyetim ligjor i Kryesueses së KQZ-së, duke dëmtuar kështu edhe integritetin e vet zgjedhjeve demokratike”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Reagimi i plotë i AAK-së:
Reagim
Pas demaskimit të keqpërdorimeve që në ditët e para të mandatit të tij, zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka filluar me shpifje e gënjeshtra kundër të tjerëve.
Ai pa pikë turpi provon të gjykojë të tjerët, sigurisht për të larguar vëmendjen nga skandalet që e kanë mbuluar ministrinë e tij.
Hysen Durmishi, ministria e tij dhe e Liburnit, të cilën po e udhëheqin si të ishte pronë private e tyre, duke bashkëpunuar me, siç e quanin dikur “babain e tenderëve”, janë shndërruar në grup të organizuar të keqpërdorimit të parasë publike.
Tanimë është fakt i njohur që ai i ka dhënë tender kompanisë ku dikur punonte, e këto lloj kontratash klienteliste po vazhdojnë.
Shpifjet e Durmishit në adresë të ish ministrit Lekaj, vijnë pas përfundimit të 100-ditëshit të dështuar të qeverisë së dështuar, që suksesin e vetëm e ka në instalimin e nepotizmit (mbi 20 të punësuar në poste të larta shtetërore, të afërm të ministrave e deputetëve të partisë-shtet), si dhe ngutinë në shkarkimin e bordeve për t’i zëvendësuar ato me borde partiake, e deri te shkarkimi pa arsyetim ligjor i Kryesueses së KQZ-së, duke dëmtuar kështu edhe integritetin e vet zgjedhjeve demokratike.
Ka edhe ‘suksese’ të tjera kjo qeveri: Zvogëlimi i shtesave për pensionistët, zvogëlimi i subvencioneve në të gjitha degët e bujqësisë dhe mungesa e marrjes së vendimeve dhe masave për rimëkëmbjen e ekonomisë.
Qeveria e mashtrimit është normale të ketë anëtarë si Hysen Durmishi, i cili vetëm se e zbaton besnikërisht filozofinë e mashtrimit.
Humbës në fund, fatkeqësisht janë Kosova dhe qytetarët e saj. Jo serioziteti dhe paaftësia në qeverisje, do t’i kushtojnë shtrenjtë vendit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dëshmuar konsistencë dhe ka pasur vizion të qartë për vendin. Këtë e dëshmojnë vendimet dhe veprimet qeveritare në të dyja mandatet e kryeministrit Haradinaj, të cilat edhe pse së bashku nuk kanë zgjatur as 3 vite të plota, kanë lënë gjurmë në historinë politike të vendit dhe në stabilitetin, sigurinë dhe ekonominë e vendit.
Mund të kemi pasur gabime gjatë rrugës, që janë njerëzore, por, asnjëherë nuk i kemi mashtruar qytetarët e Kosovës.