AAK-ja jep nënshkrimet për ta çuar Osmanin në Kushtetuese

AAK-ja jep nënshkrimet për ta çuar Osmanin në Kushtetuese

Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës ka dhënë nënshkrimet për ta çuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka, në Gjykatën Kushtetuese.

PDK-ja ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për ta çuar Osmanin në Kushtetuese, ndërsa gjatë ditës në seancë ka bërë thirrje t’i bashkohen edhe grupet tjera parlamentare.

“Aleanca e ka përkrahur referimin e çështjes së shkarkimit të znj. Daka në Kushtetuese”, ka thënë Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së.

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i ka bërë thirrje LDK-së që të japë nënshkrimet për ta çuar Osmanin në Kushtetuese.

Selimi në një postim në Facebook ka thënë se nëse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk e jep nënshkrimin atëherë ai e dëshmon se është vegël e Vetëvendosjes.

“Në këtë kohë të kapjes së shtetit dhe institucioneve të pavarura nga VV, kur shkarkohen zyrtarët dhe kur planifikohen shkarkimet për qëllime politike të kontrollës dhe shtypjes, shpëtimi është te LDK. Edhe Lumiri si kryetar i partisë por edhe Vjosa si Presidente duhet të tregojnë se nuk janë vegël e VV. Lumiri duhet të japë nënshkrimet për referim të çështjes Daka në Kushtetuese e Presidentja nuk duhet ta bllokojë nëse beson fuqishëm se ka vepruar sipas kushtetutës. Le të vendos arbitri kulmor, Gjykata Kushtetuese. Nëse LDK nuk i jep nënshkrimet atëherë Lumiri është bërë vegël e VV dhe Presidentja nuk beson në kushtetueshmërinë e vendimeve të saj”, ka shkruar Selimi i AAK-së në Facebook.

Related Articles