Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se në tryezën e sotme me sindikatat e sektorit publik dhe privat kanë folur për sigurimet shëndetësore dhe skemat sociale.
Ndërkaq, sa i përket idesë për tërheqjen e Trustit, Tahiri shprehu bindjen se një gjë e tillë do të kalojë në Kuvend.
“Ne kemi mbajtur sot një tryezë me përfaqësuesit e të gjitha sindikatave të sektorit publik, të sektorit privat, por njëkohësisht edhe të disa ndërmarrjeve publike, me të cilët kemi diskutuar dy tema, atë të sigurimeve shëndetësore por njëkohësisht edhe për një temë tjetër, që do të adresohet në kuvend të martën për skemat sociale në vend”, ka thënë Tahiri.
“Ne do të bisedojmë edhe me shumicën, do të dakordohemi si opozitë që të jemi të gjithë dhe njëkohësisht do të bisedojmë me të gjitha grupet parlamentare”.
“Tërheqja e Trustit duhet të ndodhë në Kuvend dhe jam i bindur që do të kalojë”.
Ndërkaq, Shemsedin Dreshaj e ritheksoi se Ligji i Sigurimeve Shëndetësore duhet të sillet menjëherë në Kuvend për miratim, teksa për skemat pensionale tha se duhet të hiqet neni i tetë i Ligjit për Pensione Kontributdhënëse që, sipas AAK-së, është hendikepues.
“Si përmbyllje e tërë atij diskutimi është se ligji i sigurimeve shëndetësore duhet të nisë menjëherë dhe të sillet në kuvend për miratim. Sigurimet shoqërore janë pjesë e agjendës sonë por janë pjesë komplementare e ligjit për sigurime shëndetësore, pakoja bazike e shërbimeve shëndetësore, e cila është iniciuar që nga viti 2001 dhe ende nuk është përmbyllur duhet urgjentisht që të përmbyllet që kostoja buxhetore e ligjit për sigurime shëndetësore të jetë adekuate”, ka thënë Dreshaj.
“Pat shumë kritika lidhur me sistemin informativ me shërbimet shëndetësore me ç’rast u panë shumë dështime, lidhur me skemat pensionale. Po ashtu kishte vërejtje dhe vërejtja kryesore ishte nën ne nenin diskriminues, nenin 8 të ligjit për pensione kontribut-dhënëse me ç’rast ai ligj me moshën 15-vjeçare hendikepon dhe diskriminon një numër të konsiderueshëm të punëtorëve që nuk e plotësojnë këtë kriter, dhe ky nen duhet të sillet në Kuvend dhe të largohet nga ky ligj”.
Ndërkaq, sot deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka paraqitur propozimin për Projektligjin e ri për Shëndetësi, i cili përbëhet nga 128 nene.
Zemaj, në një konferencë për media, tha se në këtë projektligj kanë punuar ekspertë të fushës, duke shtuar se e avancon shërbimin shëndetësor.