Anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Vasilika Zotaj, në një konferencë për media ka bërë të ditur se në komunikimet e vazhdueshme me shtabet e Aleancës nëpër komuna, u konstatua se procesi i votimit është i rregullt, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Tutje, ajo tha se nuk është raportuar për ndonjë problem që mund ta cenojë këtë proces.
“Nga komunikimet e vazhdueshme me shtabet e Aleancës nëpër komuna, kemi konstatuar se procesi i votimit është i rregullt dhe nuk ka probleme të dukshme që mund ta cenojnë këtë proces. Qytetarët e Kosovës edhe njëherë konfirmuan atë e cila tani po kthehet në traditë në Kosovë, që qytetarët e Kosovën dinë të kenë një qasje demokratike ndaj gjithë procesit zgjedhor”.
“Shfrytëzojmë rastin të falënderojmë secilin votues që sot ka kryer obligimin qytetar, ose është në proces të votimit. Përderisa janë orët e fundit, edhe njëherë ju bëjmë thirrje atyre që ende nuk kanë votuar, të dalin e të votojnë”.
“Një investim disa minutësh është një investim për të ardhmen e tyre katër vjeçare. Falënderojmë Policinë e Kosovës për mbajtjen e rendit. Po ashtu falënderojmë mediat që po mbajnë të informuar qytetarët. Falenderim i posaçëm për komisionerët dhe vëzhguesit, që po kryejnë detyrën fisnike të menaxhimit të këtij procesi”, ka thënë Zotaj./Gazeta Enigma/