AAK: Shëndetësia në Kosovë, plagë e vjetër

AAK: Shëndetësia në Kosovë, plagë e vjetër

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media lidhur me gjendjen e shëndetësisë në vend, mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe trajtimet jashtë vendit për të cilat u tha se shpenzohen miliona euro.

Deputeti AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se në tre vjetet e fundit nuk është ndërmarrë asnjë hap për ligjin e sigurimeve shëndetësore. Sipas tij, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon dhe botë pa sigurime shëndetësore.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka filluar një nismë në të cilën shpresojmë që ditën e enjte do të bëhet një debat parlamentarë lidhur me gjendjen në shëndetësi, problemet e përditshme të cilat po hasim në shëndetësi në mungesë të sigurimeve shëndetësore. Arsyeja se pse po e bëjmë këtë sepse tre vitet e fundit për do vit e kemi në agjendë ligjin për sigurime shëndetësore dhe ende nuk e kemi në duar tona dhe si duket ende nuk do të jete në këtë agjendën pranverore. Realisht plaga e vjetër e shëndetësisë kosovare vazhdon që të jetë edhe më tutje, vazhdojmë që të jemi vendi i vetëm në rajon dhe botë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore dhe vazhdojnë problemet e njëjta përkundër dyfishimit të buxhetit në shëndetësi, vazhdojnë listat e pritjes, problemin me listën esenciale të barnave, vazhdon trajtimi i pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore, miliona euro në institucione private dhe jashtë vendit për trajtimin e problemeve të cilat me një shëndetësi të mirëfillte dhe cilësore do të mund të kryhen në institucione tona publike ne vend”, ka thënë deputeti opozitar.

Dreshaj ka paralajmëruar se në mbledhjen e ardhshme do të nisin një rezolutë, për të cilën presin që t’u aprovohet nga opozita dhe të jetë obligative për qeverisjen aktuale.

Sipas tij, shëndetësia duhet të kthehet në binarë të drejtë.

“Bazuar në këtë ne kemi ftuar dhe feedbackun e kësaj do të përmbyllim me një rezolutë të cilën do të mbështet nga pozita dhe opozita. Shpresojmë që kjo rezolutë të jetë një obligim për qeverisjen aktuale që një herë e përgjithmonë shëndetësia të kthehet ne binar të drejtë”, ka shtuar ai./ksp

Related Articles