Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka zyrtarizuar kandidatin e subjektit të tij për zgjedhjet komunale në Vushtrri. Kandidati për këtë komunë nga radhët e AAK-së është Mensut Ademi.
“Aleanca ofron ndryshimin që e kërkojnë qytetarët! Sot në mbledhjen e Kryesisë së Aleancës diskutuam për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend. Informova Kryesinë për takimin që kisha sot me Kryeministrin Kurti, kërkesat dhe shqetësimet që i kam paraqitur, përfshirë temat e dialogut dhe qëndrimit të qeverisë rreth Luftës Çlirimtare. Gjithashtu Kryesia e AAK-së diskutoi për nevojën e menjëhershme të sigurimit të vaksinave për grupet e rrezikuara, si dhe për heqjen e masave, duke nisur nga ndalim qarkullimi i qytetarëve e deri te hapja e plotë e të gjitha sektorëve të ekonomisë“, tregoi Haradinaj në Facebook për mbledhjen e Kryesisë së AAK-së.
Haradinaj ka treguar emrin e kandidatit për këtë komunë dhe përgatitjen e tij akademike.
“Në pikën për zhvillimet organizative në Aleancë, diskutuam përgatitjet për zgjedhjet lokale 2021 dhe kandidaturat për kryetar të komunave. Informova Kryesinë që strukturat e degës së Vushtrrisë, janë dakorduar që kandidat i Aleancës për kryetar të kësaj komune të jetë Prof.Dr.Sc. Mensut Ademi. Profesor Mensuti është Doktor i Shkencave Penale dhe Kriminologjisë, ligjërues në disa universitete publike e private në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Evropë dhe Amerikë. Ai është themelues i Asociacionit të Kriminologëve të Kosovës (AKK), Kriminologëve të Ballkanit Perëndimor (ËBC), e gjithashtu është anëtar i shoqatave të kriminologëve në Amerikë, Evropë e Azi. Ka punuar në implementimin e shumë projekteve nacionale dhe ndërkombëtare në fushën e kriminologjisë“, ka thënë ai.
Kryetari i AAK-së ka shtuar se Ademi ka qenë luftëtar i UÇK-së.
“Mensut Ademi, është baba i katër fëmijëve dhe rrjedh nga një familje atdhetare e intelektuale. Ka qenë luftëtar i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrës në shumë beteja nga të cilat mban deri më sot plagët e luftës. Kandidimi i tij për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, tregon seriozitetin dhe qasjen që Aleanca e ka në zgjedhjet komunale, orientimin e saj drejt fitores në favor të ndryshimit që e kërkojnë qytetarët. Prof. Mensuti dhe ekipi i tij, do të jenë të përkushtuar me tërë dijen dhe ekspertizën e tyre, në shërbim të këtij qëllimi. Na priftë e mbara!”, shtoi ai.