Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Relations Council) dhe Oda Ekonomike Amerikane kanë dalë me një qëndrim dhe thirrje të përbashkët duke thënë se shprehin shqetësimin e tyre të thellë lidhur me vonesat e vazhdueshme në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
Në një deklaratë të lëshuar në faqen zyrtare të Odës Ekonomike Amerikane, thuhet se në një kohë kur “Kosova përballet me sfida dhe mundësi kritike – si brenda ashtu edhe jashtë vendit – një stagnim i tillë institucional minon stabilitetin demokratik, zhvillimin ekonomik dhe besueshmërinë e vendit në skenën globale”.
“AARC dhe Oda Amerikane u bëjnë thirrje liderëve politikë të Kosovës që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për të krijuar institucione plotësisht funksionale. Vakuumi i zgjatur në qeverisje dërgon sinjale shqetësuese për aleatët ndërkombëtarë dhe dobëson pozitën e Kosovës në zhvillimet jetike gjeopolitike. Këto vonesa rrezikojnë t’i largojnë më tej përkrahësit e shtetësisë së Kosovës, ndërkohë që inkurajojnë kundërshtarët e saj”, thuhet në qëndrimin e AARC dhe Odës Ekonomike Amerikane.
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane dhe Oda Ekonomike Amerikane tutje thonë se Kosova nuk mund t’ia lejoj vetës luksin e bllokadave të brendshme politike.
“Asnjë kalkulim politik nuk e arsyeton ngërçin e vazhdueshëm. Qytetarët e kanë shprehur qartazi vullnetin e tyre dhe ai mandat duhet të respektohet përmes veprimit të menjëhershëm institucional. Stabiliteti, sundimi i ligjit dhe vizioni për një të ardhme më të mirë duhet të jenë prioritetet që tejkalojnë ndarjet politike”, thuhet ndër të tjera në reagim.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të përqendrohen në interesin e përbashkët kombëtar – ndërtimin e një partneriteti më të fortë strategjik me Shtetet e Bashkuara, sigurimin e rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe tërheqjen e investimeve amerikane dhe të tjera të huaja. Popullsia e re e Kosovës, pozicioni strategjik dhe shpirti ndërmarrës ofrojnë një mundësi të veçantë për kompanitë dhe investitorët amerikanë. Sidoqoftë, ky potencial mund të realizohet vetëm me qeverisje të qëndrueshme, transparente dhe efektive”, potencon reagimi i përbashkët.
Postimi: