Deputeti Haki Abazi, përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar në lidhje me rastin e fundit që ka ndodhur në Kosovë, ku u kidnapuan tre policë të Kosovës nga ata serbë, raporton Gazeta Enigma.
Abazi, ka thënë se Serbia ka aleat Rusinë për të vazhduar në kursin e saj të destabilizimit të Ballkanit me qëllim të vendosjes së hegjemonisë dhe dominancës rajonale dhe shtimin e pazarit për Rusinë kundrejt Evropës dhe SHBA-ve.
Ai, tutje ka shtuar, se duhet të dalim nga kurthi i Serbisë ku kemi rënë.
“Kosova dhe shqiptarët janë në pozicionin e vështirë përmbrenda përpjekjeve dhe qëllimeve të botës demokratike për të zvogluar hapësirën manovruese e qëllimkeqe të Rusisë por edhe Kinës për një vatër tjetër konflikti në Ballkan”, ka thënë Abazi.
Deputeti Abazi, ka deklaruar se përbrenda Kosovës nuk po shihet që ka as seriozitet, as gatishmëri por as edhe kapacitet për të kuptuar dhe për te sinkronizuar interesat afatgjata e strategjike të vendit tonë me shtetet dhe institucionet e botës demokratike.
“Përbrenda Kosovës nuk po shihet që ka as seriozitet, as gatishmëri por as edhe kapacitet për të kuptuar dhe për te sinkronizuar interesat afatgjata e strategjike të vendit tonë me shtetet dhe institucionet e botës demokratike. Kurti ka zgjedhur rrugën e gabuar për të realizuar të drejtën e Kosovës për veprim institucional”, ka shkruar Abazi.
Abazi, ka përmendur disa nga prioritetet që duhet të jenë në Kosovë, përfshirë këtu garantimi i integritetit territorial dhe funksionimi i institucioneve vitale përfshirë edhe një diplomaci aktive për të rivendosur kanalet e komunikimit me kryeqytetet e vendeve demokratike
“Kthimi i policëve të kidnapuar, Lirimi i qytetarëve Kosovar të arrestuar në Serbi, Ndërtimi i konsensusit dhe kohezionit gjithë partiak, Koordinimi i afërt dhe i rregullt me Shqipërinë, Shtendosja e situatës në veri, Kthimi normalitetit në jetën e përditshme, Luftimi i krimit dhe korrupsionit në gjithë territorin e republikës”, ka thënë Abazi.
Tutje, siç thotë ai, dëmi i shkaktuar është shumë i madh tanimë, mirëpo sipas tij kjo nuk do të thotë që duhet thelluar dimensionet e këtij dëmi dhe afatin e rikthimit në procese integruese e bashkërenduese.
“Kosova e zhvilluar dhe e ardhmja saj si pjesë e familjes euroatlantike është më e rëndësishme se çfarëdo arsyetimi dhe diskursi i momentit apo fati i individëve që kanë edhe përgjegjësi të veshur me votë. Me kokë të ftohët duhet reflektuar dhe vepruar në këtë fazë të realitetit që na rrethon, pa humbur fokusin nga e ardhmja dhe qëllimet tona si komb Evropian. Dëmi i shkaktuar është shumë i madh tanimë por kjo nuk do të thotë që duhet thelluar dimensionet e këtij dëmi dhe afatin e rikthimit në procese integruese e bashkërenduese”, përfundon statusi i tij. /Gazeta Enigma