Abdixhiku i kundërpërgjigjet Konjufcës: Pushteti po flirton me idenë e shtyrjen së zgjedhjeve

Abdixhiku i kundërpërgjigjet Konjufcës: Pushteti po flirton me idenë e shtyrjen së zgjedhjeve


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklarimeve të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca lidhur me shtyrjen e datës së zgjedhjeve, raporton Gazeta “Enigma”.

Me këtë rast ai ka thënë se askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet dhe ta prekë demokracinë.

Abdixhiku, tutje ka thënë se pushteti i LVV-së po flirton me idenë e shtyerjes së zgjedhjeve. Kjo, sipas tij, po ndodh për shkak se numrat nga terreni po e tmerrojnë partinë që po qeveris me vendin.

“Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë. Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, ka shkruar Abdixhiku.

Kërkesa e LDK-së për ta shkurtuar fushatën zgjedhore në 10 ditë, Abdixhiku tha se s’ka marrë ende përgjigjje nga partia e parë. Por shtoi se nuk do ta tolerojnë, siç tha ai, prekjen e fundamentit demokratik.

“Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigjje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë”, shkroi kreu i LDK-së.

Abdixhiku tha se KQZ-ja është gati për t’i organizuar zgjedhjet në mënyrë shembullore, derisa kujtoi se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit ishin mbajtur pa asnjë vaksinë.

“KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërkaq, kujtojmë se Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në një emision televiziv ka vlerësuar se do të duhej të shtyheshin zgjedhjet lokale.

Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, ka deklaruar ai të hënën. /Gazeta Enigma.

Related Articles