Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur në lidhje me gjendjen e re të krijuar në veri të vendit.
Abdixhiku tha se tashmë janë bërë afër një javë që Kosova është futur në një gjendje të te re të ushtrimit të sovranitetit të vetë në të gjithë territorin, teksa shtoi se në 17 për qind të territorit, ky sovranitet ka filluar të marrë goditje.
Tutje, ai në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova tha se burimi i problemeve në veri është Beogradi dhe se tendencat e Serbisë për destablizimin e Kosovës s’janë të reja, teksa shtoi se vendi ka rënë në kurthin e Serbisë.
“Ka një masë të organizuar të autoriteteve serbe në veri të koordinuara në Beograd për të sabotuar Kosovën. Por, kjo tendencë e Serbisë s’është e re për Kosovën. Në 23 vitet e fundit Serbia ka provuar të sabotojë Kosovën edhe në pjesën jugore e sidomos në veri e jo rrallë ka arritur të krijojë tensione, si ai me tren, barrikadat”.
“Arsyeja e një burimi të tillë është intensiteti i madh i faktorit ndërkombëtar rreth çështjes së Kosovës dhe Serbisë dhe kjo bëhet për dy mundësi. E para që të rritë kërkesën për një marrëveshje finale dhe e dyta që ta kurthojë Kosovën në veprimet e veta që ajo mund t’i ketë. Fatkeqësisht, besoj që janë të dyja dhe besoj se Kosova ka rënë në këtë kurth të Serbisë”, është shprehur Abdixhiku.
Më tej, ai tha se tash nuk është rastësi që ka angazhim më të madh në dialog për një tempo të re nga Washingtoni, Berlini, Londra e Brukseli.
Kreu i LDK-së tha se në këtë angazhim nga kryeqendrat botërore kanë qenë dy mesazhe jetike, që sipas tij, shqiptarët e Kosovës duhet t’i kuptojnë.
“Ato kanë ardhur nga Washingtoni ku e para ka qenë se status-quoja është interes i Rusisë dhe mesazhi i dytë ka qenë që të mos ketë vatra të destabilizmit sepse prapë dhe kjo i shërben Rusisë”, është shprehur Abdixhiku