Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës, pas ngritjes së çmimeve.
Ai tha se paralizimi i Autoritetit të Konkurrencës, duke mos e zgjedhur bordin e këtij institucioni, ka krijuar këtë moskontrollim në tregje.
“Çmimi i vajit rritet në rekord botëror, sepse fiksimet e mashtruesve s’ka kush t’i kontrollojë. S’ka kush t’i kontrollojë sepse në njërën anë inspektorët e shtetit nuk janë askund; e në anën tjetër Autoriteti i Konkurrencës është i paralizuar e pa funksion. Sot bëhen 10 muaj që kur Qeveria praktikante e Kurtit ka lënë këtë institucion pa Bord, rrjedhimisht pa njerëz që nisin hetime apo marrin vendime në kohë krizash si sot”.
Abdixhiku ka shkruar se kjo që po ndodh është “çmimi i paaftësisë e neglizhencës”.
“Është çmim i braktisjes së detyrave bazike shtetërore. Ne jemi në krizë. Dhe në këtë krizë nuk kemi Qeveri”.
Ai po ashtu tha se paralajmërimet që i ka ngritur subjekti i tij s’janë dëgjuar derisa rekomandimet janë injoruar.
“Më 3 shkurt, si LDK kemi paralajmëruar Qeverinë për marrjen e masave në sigurim të grurit para shpërthimit të agresionit rus në Ukrainë. Asnjë reagim. Më 16 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të ofrojë një paketë masash fiskale që targetojnë inflacionin e lartë – më të lartin historik – në Kosovë. Asnjë reagim. Më 21 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të funksionalizojë sa më parë Autoritetin e Konkurrencës si preventivë për manipulimet e mundshme të çmimeve; me të njëjtat që po ballafaqohemi sot. Asnjë reagim. Këtë javë, kemi dhënë rekomandime konkrete mbi masat që duhet marrë për zbutjen e përballueshmërisë; me theks të veçantë në reduktimet e TVSH-së e akcizës mbi derivate fillimisht e më pas dhe në produktet bazike. Rekomandimet tona u mbështetën nga të gjithë, përveç Qeverisë. Asnjë reagim”. /Gazeta Enigma/.