Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit që kishte me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Abdixhiku para mediave tha se i kërkoi Kurtit që të jetë i guximshëm dhe ta kërkojë marrëveshjen finale me Serbinë, që në thelb të saj ka njohjen reciproke.
“Ne i kërkuam kryeministrit që të jetë i guximshëm dhe të shkojë në dialog së bashku me aleatët tanë, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të kërkojë marrëveshjen finale, me njohje reciproke në thelb të saj” – tha Abdixhiku.
Ai theksoi se takimi i thirrur me partitë opozitare për t’u informuar për takimin në Bruksel që kreu i Qeverisë kishte me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, është i vonuar.
Kreu i LDK-së shton se për takimin ishte informuar edhe më parë nga ndërmjetësuesit ndërkombetar.
“Konsideruam se kjo ftesë është e vonshme pasi që vjen dy javë pas takimit të Brukselit. Dhe në ndërkohë partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtar në masën shumë më të thellë sesa na informoi sot kryeministri”.
“Kryeministri bëri një prezantim të gjashtë pikave që tashmë janë të njohura për publikun dhe në këtë drejtim nuk pat ndonjë risi. Dialogimi i copëzuar, pjesë-pjesë është në interes të Serbisë dhe jo të Kosovës. Sa më shumë që mbesim në këtë proces, Kosova e ushqen status-quon”.