Abdixhiku: Pengmarrja e kryeqytetit, akti më i rëndë i Albin Kurtit

Abdixhiku: Pengmarrja e kryeqytetit, akti më i rëndë i Albin Kurtit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur pas bllokadës në kryeqytet, shkruan Gazeta Enigma.

Sipas tij VV-ja “Nuk dinë më shumë. Kjo është mendja e tyre. Jetojnë për bllokadë, punojnë për bllokadë, ushqehen me bllokadë!”

“Dhe ja ku jemi sot, pa transport publik në Kryeqytet; me punëtorë pa paga e në protestë; me qytetarët në pritje nëpër stacione; dhe me një pushtet arrogant që në vend të arsyes vazhdon të ushtrojë hakmarrje politike ndaj Prishtinës duke akuzuar secilin tjetër. Dhe ky është vetëm fillimi. Bllokada e Prishtinës rrezikon tutje shkolla, qendra mjekësore, shërbime bazike për njerëzit e këtij vendi”, ka shkruar ai.

“Prishtina nuk i kërkon paratë e Qeverisë, prandaj nuk i duhet asnjë votim në Kuvend. Prishtina i kërkon paratë e veta; plot 35 milion euro taksa komunale e grant, që i janë plaçkitur nga bllokuesit për hakmarrje të pastër politike. Prishtina nuk i kërkon as paratë e vitit 2026, por të këtij viti që ka tashmë buxhet; jemi ende në vitin 2025. Arsyetimet për mungesë të votave në Parlament janë vetëm ushqime për militantë. Fundja, me cilin votim në Kuvend, i ndanë këta nga 100 euro për studentë dy ditë para zgjedhjeve? Si është e mundur që për blerje votash e dhënie vitrash nuk paska nevojë për votime nga ne; por ja që për paratë e Prishtinës, ato që i mbledhë Kryeqyteti vet, paska tani një procedurë që po varej nga ne?!’”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut “pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij”.

“Prishtina ka folur një herë. Do të flasë sërish. Por deri atëherë – le ta dijë secili – se pengmarrja e kryeqytetit është akti më i rëndë i Albin Kurtit dhe pushtetit të tij që ka humbur kontaktin me qytetin, me realitetin dhe me detyrimin e tij më bazik: t’i shërbejë njerëzve, jo t’i ndëshkojë ata. Prishtina nuk mbahet peng. As sot, as nesër”, theksoi ai.

Related Articles