Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të enjten ka shpalosur 15 pikat e Qeverisë së Unitetit, e propozuar për t’i dhënë fund bllokadës politike në vend, që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Më poshtë gjeni 15 pikat e kësaj qeverie tranzicioni:
1.Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese dhe departiakizimi i tyre.
Përmbyllja e zgjedhjes së vendeve vakante në të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese qe presin votimin e Kuvendit te Kosovës, është prioriteti i parë i unitetit gjithëpartiak. Theks i veçantë do t’i vihet zgjedhjes së anëtarëve te Gjykatës Kushtetuese, plotësimi i vendeve vakante, përmes një procesi te përshpejtuar zgjedhor në Kuvend, ne mënyrë qe te evitohet paralizimi i këtij institucioni.
Qeveria e Unitetit do të merret dhe me departiakizimi e institucioneve te pavarura, nëpërmjet emërimit të drejtuesve me kredibilitet profesional dhe etik ne të gjitha pozitat në të cilat sot ka ushtrues detyre. Pjesë e angazhimit do te jete dhe riformatimi i plotë i bordeve te institucioneve që i raportojnë Kuvendit, si dhe i ndërmarrjeve publike qendrore, me përfaqësues kredibile, apartiake, profesioniste dhe të paanshëm; duke i dhënë kështu subjekteve te pavarura frymëmarrje nga influenca partiake.
2.Rritja e pagave dhe zbatimi i Ligjit të Pagave
Rritja e pagave për mësimdhënësit, profesionistët shëndetësore, punonjësit e sigurisë dhe administratën shtetërore, duke rikthyer dinjitetin institucional të shërbimit publik është prioritet në periudhën kalimtare. Zbatimi i Ligjit te Pagave dhe i vendimit te Gjykatës Kushtetuese për pagesën e përvojës se punës.
3. Pako emergjente për menaxhimin e krizës energjetike
Në fokus të veçante të Qeverisë do te jetë miratimi i një pakoje giithpërfshirëse për përballimin e krizës energjetike nga qytetarët e vendit, përfshirë mbështetje financiare për familjet me të ardhura te ulëta, heqjen e TVSH-së për energjisë elektrike, si dhe gjetjen e zgjidhjes së përshtatshme për sektorin privat ne drejtim te operimit te tyre ne treg te lirë.
4. Nisja e projektit kombëtar të gazifikimit të Kosovës
Qeveria e Unitetit do të niste hartimin dhe miratimin e Planit Kombëtar te Gazifikimit të Kosovës. Fillimi i procedurave për ndërtimin e centralit me gaz, si dhe konceptprojekti për gazifikimin e Kosovës do të shërbejnë si zotime afatgjata politike të secilit subjekt në vend, pas periudhës kalimtare. Lidhja strategjike e Kosovës me rrjetin transrajonal të gazit natyror, në bashkëpunim me partnerët amerikane, si pjesë e transformimit afatgjatë të sektorit energjetik, është prioritet nacional i Kosovës.
5.Rindërtimi i partneritetit me BE-në dhe SHBA-në, rikthimi i politikës së jashtme aktive
Kthimi i besimit politik me BE-në dhe SHBA-në, përmes një qasjeje të përgjegjshme shtetërore, në funksion të heqjes së masave ndëshkuese dhe rivendosjes së marrëdhënieve strategjike me aleatët euroatlantike.
Në ketë drejtim, do të përgatitet një platformë unike shtetërore për dialogun me Serbinë, e ndërtuar mbi dakordimin e brendshëm politik dhe në koordinim me aleatët perëndimore, duke vënë ne fokus kushtetutshmërine e Kosovës, integritetin territorial si dhe sovranitetitn e plotë të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e vet.
Qeveria e Unitetit Kombëtar po ashtu do të ndërmarrë ristrukturimin e plotë të shërbimit diplomatik të Kosovës, duke rikthyer profesionalizmin dhe kështu duke shkëputur përfundimisht diplomacinë nga emërimet joprofesionale.
Në kontekstin e zhvillimeve të reja gjeopolitike, Kosova do të riafirmojë pozicionin e saj euroatlantik përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me SHBA-në, BE-ne dhe NATO-n.
Në këte drejtim, do të ndërmerren hapa konkrete për zgjerimin e rrjetit diplomatik, hapjen e ambasadave në rajone strategjike, si dhe për krijimin e një diplomacie ekonomike e kulturore që promovon Kosovën në skenën ndërkombëtare, në veçanti në kryeqendrat botërore. Ne të njëjtën kohë, Kosova do te angazhohet fuqimisht ne organizata rajonale dhe globale si pjesë e një vizioni te ri për diplomacinë shtetërore që vepron, bind dhe ndërton aleanca të qëndrueshme.
6.Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Kuvendit te Kosovës
Hapja e rrugës për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Kosovës me shtete partnere, organizata dhe institucione financiare ndërkombëtare, me qëllim implementimin e projekteve afatgjate.
7. Fillimi i procesit te vettingut ne sistemin e drejtësisë
Qeveria e Unitetit Kombëtar do të ndërmarrë hapat e parë konkretë për fillimin e procesit te vettingut ne sistemin e drejtësisë; fillimisht nëpërmjet miratimit të infrastrukturës ligjore kushtetuese të nevojshme, dhe më pas me implementimin e pilot procesit të vettingut.
8. Fillimi i projekteve me rëndësi të veçante
Qeveria e Unitetit, do të heqë të gjitha pengesat burokratike të projekteve madhore kombëtare. Prioritet të veçantë do t’i jepej projektit të Unazës së Jashtme të Prishtinës, ndërtimit të Spitalit të Ri të Kosovës; ndërtimit të Qendrës Kombëtare të Sportit, si dhe ndarjes së buxhetit për trajtimit të deponive të mbeturinave në tërë vendin.
Implementimi i të gjitha projekteve të mëdha kapitale, infrastrukturore, me theks të veçantë rrugët, magjistralet e autostradat ndërlidhëse mes qyteteve të Kosovës, do të kenë prioritet në gjithë periudhën kalimtare.
Këto projekte synojnë gjenerimin e punësimit, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e infrastrukturës publike.