Abdixhiku: Qeveria po e ngulfat sektorin privat që ka nevojë për mbështetje

Abdixhiku: Qeveria po e ngulfat sektorin privat që ka nevojë për mbështetje

“Lidhja Demokratike e Kosovës është një parti që zhvillimin ekonomik e ka fokus të parë”, kështu ka thënë kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku gjatë një vizite në një kompani vendore, e cila merret me grumbullimin, përpunimin dhe prodhimin e frutave të imta.

Gjatë vizitës, ai tutje ka thënë se kriza energjetike që goditi Kosovën në muajt e verës ka bërë që shpenzimet e kompanive të rriten dhe fitimi të zvogëlohet.

“Qeveria Kurti nuk ka planifikuar dhe nuk ka bërë mirëmbajtje të rregullt të kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë, dhe si rezultat kemi ndërprerjet. Kështu, për kompanitë, kjo do të thotë se investimet që janë paraparë të bëhen në zgjerim të biznesit duhet të presin ditë më të mira”.

Abdixhiku gjithashtu përmendi që LDK ka një plan 10-pikësh për përballimin e krizës së energjisë elektrike. “Plan që ofron zgjidhje edhe për sektorin e biznesit në Kosovë, që të kalojnë sa më lehtë krizën të cilën nuk po e zgjidh qeveria e papërgjegjshme dhe e paaftë”.

Ai tha se pika 9 e planit parasheh themelimin e bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri ku do të mundësohet tregtimi i lehtë dhe i shpejtë i energjisë elektrike në mes të dy vendeve tona.

“Bizneset në Kosovë kanë nevojë për përkrahje jo për burokraci. LDK do të reduktojë burokracinë për biznese, në mënyrë që të zhvillohen pa pengesa nga shteti. Programi ynë parasheh që ndihmojë ato kompani që kanë nevojë për të arritur standardet e kërkuara të cilësisë që kanë potencial për eksport. Qeveria aktuale ka ngulfatur bizneset dhe nuk ka ofruar përkrahje për to”, tha i pari i LDK-së.

Related Articles