Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas rekomandimit të IKSHPK-së për të shtyrë zgjedhjet lokale.
Abdixhiku ka akuzuar IKSHP-në për humbje te kredibilitetit, me këtë rekomandim.
“IKSHPK u shndërrua sot në instrument të pushtetit – dhe me këtë humbi secilin kredibilitet. Skenari i paralajmëruar televiziv nga partia në pushtet, po ekzekutohet nga aktorë në shërbim të politikës instrumentalizuese”.
I pari i LDK-së, thotë se rekomandimi i IKSHPK-së nuk u kërkua por u dha me porosi nga pushteti.
“Trupat e kapur – me vullnet apo presion pa dallim – në vend të shëndetësisë, kanë vendosur të merren me politikë. Rekomandimi nuk u kërkua por u dha me porosi. Ashtu siç e paralajmëroj ditë më parë pushteti, ashtu siç po i duhet sot pushtetit”.
Abdixhiku thotë se demokracia nuk guxon të preket edhe pse shteti ka dështuar në menaxhimin e pandemisë.
“Dështimi katastrofal pandemik, nuk guxon të prekë demokracinë. E kemi të shenjtë. Prandaj dhe zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush. Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi”.
Ai ka kujtuar se edhe në të kaluarën në Kosovë janë mbajtur zgjedhje në pandemi.
“Kosova ka mbajtur zgjedhje në pandemi. Vendet fqinje po mbajnë zgjedhje tani. Një ditë zgjedhje për demokracinë është e paalternativë. Fushata është shkurtuar; KQZ është e përgatitur; data e zgjedhjeve nuk mund të ndryshojë. Të kujdesemi për shëndet, të japim shembull, të organizojmë një proces fer – por proces me 17 tetor do të ketë. Frikën e pushtetit për dështimin masiv, s’mund ta shërojmë; por demokracinë, lirinë e votës suaj, do ta mbrojmë”, tha ndër të tjera Lumir Abdixhiku.
Sot Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani, ka rekomanduar që procesi zgjedhor të shtyhet për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.