Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur propozimet e partisë së tij që për të përballuar krizën aktuale duhet të hiqet tatimi në vlerën e shtuar në produktet bazë, të ulen barrierat tatimore dhe të rriten pagat në përputhje me inflacionin.
Sipas tij, propozimet e deritashme të LDK-së “janë refuzuar jo sepse nuk ishin adekuate, por sepse ishin të LDK-së”.
Në një shkrim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur mbi 20 për qind, ndërsa çmimet e produkteve bazë në mbi 50 për qind. Ai ka akuzuar Qeverinë për mosofrim të zgjidhjeve.
“Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka pasur asnjëherë. Pavarësisht kësaj rritjeje, Qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe jetën e dinjitetshme që familjet kosovare e meritojnë”, ka shkruar ai. “Nuk mund të vazhdojmë kështu. Duhet të heqim TVSH-në në produktet bazike, të ulim çdo barrë tatimore tani, dhe t’i rrisim pagat në përputhje me inflacionin. Ky është plani i LDK-së, një plan në anën e familjeve dhe njerëzve punëtorë”.