Kapiteni i Grasshopperit, Amir Abrashi, vendimin për të luajtur për Shqipërinë e ka quajtur më të mirin në karrierë. Abrashi, 32-vjeçar, në gusht të vitit 2013 vendosi ta përfaqësojë Shqipërinë, pas paraqitjeve në ekipet zinxhirë të Zvicrës. Mesfushori luftarak, Abrashi, pranon se e kishte të vështirë të luante te Zvicra. Ai thekson se konkurrenca te përfaqësuesja “helvetike” ka qenë dhe është e madhe.
“Në pozicionin tim luanin lojtarë të rregullt, si Valon Behrami apo Blerim Xhemaili, tani janë Freuler, Granit Xhaka apo Zakaria. Duke parë prapa, mendoj se vendimi për ta përfaqësuar Shqipërinë ishte më i miri i karrierës sime. Unë i qëndroj prapa vendimit”, ka thënë Abrashi në një intervistë për gazetën zvicerane “20 minuten”.
Abrashi është pyetur nëse është duke parë mundësinë që t’i bindë lojtarët e rinj shqiptarë që ta përfaqësojnë Shqipërinë.
“Unë tashmë kam rekrutuar një. Por, Zvicra ka kaq shumë talente. Ju gjithashtu mund të na jepni njërin ose tjetrin. Nuk u duhen të gjithë”, është shprehur Abrashi.
Ai ka theksuar se më shumë ndihet shqiptar, sesa zviceran. Megjithatë, thotë se u është mirënjohës shtetit dhe futbollit zviceran. Abrashi ka theksuar se ka marrë anët pozitive nga të dyja vendet.
“Disiplinën si një zviceran, mentalitetin e kam si shqiptar. Unë e dua Zvicrën, i detyrohem shumë këtij vendi dhe futbollit këtu. Unë do të thosha që jam 60 % shqiptar, 40 % zviceran”, është shprehur Abrashi.
Abrashi ka luajtur 47 ndeshje me fanellën kuqezi, ndërsa ka realizuar një gol. Ndërkohë për U-21 të Zvicrës i kishte luajtur 18 ndeshje.
Me Shqipërinë, Abrashi ka luajtur në Kampionatin Evropian të vitit 2016. Shqipëria u paraqit në Grupin A së bashku me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. Shënoi një fitore madje.
Ai thotë se do ta mbajë mend gjatë tërë jetës kualifikimin historik të Shqipërisë në “Euro 2016”.
“Emocionet që përjetuam në vend pas kualifikimit historik ishin thjesht të pabesueshme. Nuk do ta harroj kurrë atë ndjenjë. Duhet ta përjetosh për ta kuptuar”, ka thënë Abrashi.
Abrashi ka luajtur në nivele të larta për klube. Karrierën si profesionist e nisi në Winterthur. Edhe në një periudhë të mëhershme luajti për Grasshopperin. Pas shkëlqimit në Zvicër, Abrashi karrierë bëri gjatë edhe në Bundesligë me Freiburgun. Në Zvicër ka luajtur edhe për Baselin, ndërsa aktualisht është pjesë e Grasshopperit, ku edhe është kapiten. Me klubin aktual ka kontratë deri në qershor të vitit 2023. Ai vazhdon të ftohet edhe te Shqipëria. Me Shqipërinë madje ëndërron një tjetër kualifikimin në Evropian.
“Të luash një tjetër kampionat evropian do të ishte mirë. Në ndeshjen para se të nisim kualifikimet për Evropian kundër Francës festuam si heronj në shtëpi”, ka thënë Abrashi. Ai vlerësohet lart te Shqipëria dhe shihet si shembull për angazhimin dhe luftën sportive.