Ademi beson se shteti do ta fillojë përmirësimin e infrastrukturës së futbollit

Ademi beson se shteti do ta fillojë përmirësimin e infrastrukturës së futbollit

Kreu i FFK-së, Agim Ademi, beson se institucionet shtetërore do t’ia japin dorën futbollit për ta ngritur nivelin e infrastrukturës.

Ai thotë se u beson fjalëve publike të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Sportit, Hajrulla Çeku, që ditë më parë dhanë gjatë vizitës që i bënë ekipit kombëtar në prag të duelit me Zvicrën.

Duke folur në “Metropol” me Xuxin në Radio Kosova lidhur me vizitën e të parit të qeverisë tek futbollistët dardanë, Ademi është shprehur: “Është traditë që të vizitohen lojtarët e kombëtares nga krerët shtetëror, sikurse në çdo shtet. Te ne është pak më specifike për faktin se jemi kombëtare e re. Kryeministri dhe ministria e sportit po e bëjnë të më të mirën për sportin dhe po mundohen ta krijojnë një format tjetër të infrastukturës. Deri më tash nuk është parë që është bërë ndonjë punë në infrastrukturë por tashmë janë krijuar të gjitha kushtet, janë përgatitur dokumentacionet e projektet. Ministri Çeku e ka dhënë fjalën publike që shumë shpejt do të fillojnë punimet në disa stadiume që kanë mbetur në gjysmë dhe sigurisht kjo gjë do ta ngritë në nivel tjetër futbollin tonë”.

Ademi tutje ka thënë se Kombëtarja është e të gjithëve, prej kryeministrit e deri te tifozi më i vogël. “Unë si i pari i futbollit gjithmonë i kam dhënë mundësi të gjithëve dhe kam thënë edhe publikisht se për kombëtaren e marrë çdo këshillë, çdo kritikë sepse kombëtarja është e të gjithëve. Në këtë drejtim në kombëtare jemi të gjithë të barabartë dhe besoj se këta djem do ta gëzojnë këtë popull dhe do ta bëjnë krenar”, ka thënë kreu i FFK-së.

Related Articles