Administratori i konviktit gjatë vitit 1999-të në Gjilan thotë se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë gënjeshtra

Administratori i konviktit gjatë vitit 1999-të në Gjilan thotë se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë gënjeshtra

Gjykata Speciale e ka zgjeruar aktakuzën ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 19 prill 2022. Zyra e Prokurorit ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar, ku aktakuzës aktuale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do t’i shtohen mbi 30 faqe të reja, raporton Gazeta Enigma

Në njoftim të aktakuzës së re ndaj ish-krerëve të UÇK-së, prokurori Jack Smith ka përfshirë krime ku aktakuza u rëndua me akuza të reja që i referohet krimeve të luftës në korrik të vitit 1999, në një objekt që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si “konvikt”, në Gjilan.

Kjo aktakuzë u bë e ditur në një publikim që së fundmi e kanë bërë Dhomat e Specializuara.

Zgjerimi i aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët janë në paraburgim në Hagë, pretendohet se në konviktin e qytetit të Gjilanit, janë kryer krime lufte, vrasje, tortura, e trajtim çnjerëzor dhe arrestime të paligjshme nga ish-krerët e UÇK-së,

Por një gjë të tillë e mohon kategorikisht Selajdin Abdullahu, i cili në vitin 1999 është emëruar Administrator i ndihmave për konviktin në Gjilan.

Në një prononcim për Gazeta Enigma, Abdullahu, tregoi se në kohën kur ai ishte administrator i po atij objekti, kishte refugjat nga Bujanoci, Presheva e Medvegja. Ai theksoi se të gjitha gjërat dhe banorët të cilët kanë shfrytëzuar konviktin janë të dokumentuara me lista.

“Në vitin 1999 konvikti ka qenë i mbushur me refugjat nga Bujanoci, Presheva e Medvegja. Listat janë të refugjatëve të cilët kanë qenë atë kohë duke qëndruar në konvikt, të gjitha kanë qenë me ID të letërnjoftimit”, u shpreh Abdullahu.

Kurse për zgjerimin e aktakuzës Abdullahu tha se një gjë e tillë është vetëm riciklim dhe dezinformata nga Prokuroria serbe, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sipas tij kjo është një gënjeshtër e kulluar.

“Kjo është rezultat i riciklimit dhe dezinformimit dhe mungesë e fakteve nga Prokuroria serbe ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kjo është gënjeshtër kulluar”, shtoi Abdullahu.

Ai theksoi se atë kohë ora policore nga KFOR-i ka qenë nga 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ku në rrugët e qytetit nuk ka pas të drejtë asnjë njeri të lëvizë.

“Po atë kohë kur po pretendohet se në konviktin e Gjilanit janë kryer krime lufte ora policore me vendim të KFOR-it ka qenë nga ora 20:00 në mbrëmje deri në 06:00 të mëngjesit, askush nuk ka pas guxim të mos e respektoj vendimin e KFOR-it, si ka qenë e mundur të kryhen krime lufte?Këto janë të gjitha të pavërteta”, theksoi Abdullahu.

Ai u shpreh se është i gatshëm të dokumentojë të gjithë banorët të cilët kanë qëndruar atë kohë kur po pretendohet se janë kryer krime lufte, duke i dokumentuar me fakte listat e refugjatëve.

“Unë jam i gatshëm të dokumentoj banorët ose refugjatët të cilët kanë qenë atë kohë në konvikt”, shtoi ai.

Abdullahu gjithashtu përmendi edhe rastin e “Grupit të Gjilanit”, ku ishin akuzuar dhe burgosur 17 ushtarë të UÇK-së, gjoja se kishin kryer krime lufte e përdhunime ndaj grave në vitin 1999, ku tha se vetë prokuroria serbe ka ngritur aktakuz për 17 persona, ku , 11 prej tyre edhe janë dënuar me burg por që në mungesë të fakteve pas një kohe janë liruar nga Gjykata e Beogradit.

Aktakuzen ndaj tyre e ka ngritur Prokuroria Speciale e Serbisë për krime lufte dhe shumica e të arrestuarve janë nga Presheva dhe rrethina por që janë akuzuar për konviktin e Gjilanit.

“Prokuroria serbe në vitin 2008 ka hap aktakuzë ndaj 17 pjesëtarëve të UÇK-së, ndryshe të njohur si “Grupi i Gjilanit”, të cilët u arrestuan në Gjilan, ku 11 prej tyre janë dënuar me burgim, por pastaj pas 5 viteve Gjykata Supreme e Serbisë, i ka liru sepse kanë qenë në mungesë të fakteve dhe janë shpallur të pafajshëm”, përfundoi Abdullahu.

Ndërkohë që ditën kur Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, ai bashkëbisedoi me të gjithë avokatët dhe bashkëavokatët e ekipeve mbrojtëse të shqiptarëve të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit që është mbajtur online dhe ka zgjatur dy orë, janë diskutuar kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës./ GazetaEnigma

Related Articles