Afër 770 mijë qytetarë të vaksinuar me dy dozat antiCOVID

Afër 770 mijë qytetarë të vaksinuar me dy dozat antiCOVID

Deri më sot 769.967 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë antiCOVID, ndërsa tashmë në vend ka filluar dhënia e dozës së tretë të vaksinës.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.636.378 doza të vaksinës.

Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për dhënien e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19.

“Komiteti për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19 në takimin e mbajtur në funksion të zbatimit të Planit të përditësuar për vaksinimin në masë të qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19, ka vendosur që duke filluar nga 09.12.2021 të fillohet me administrimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në popullatë.

Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues.

Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.

Qytetarët do të njoftohen për datat e vaksinimit përmes SMS, emaili dhe njoftimeve publike.

“Duke konsideruar që vaksinimi është mënyra më efektive për të kufizuar dhe ndërprerë përhapjen e virusit dhe për të arritur mbrojtjen e popullatës, Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë qendrat dhe ekipet mobile të vaksinimit kudo në Kosovë për t’u vaksinuar sa më parë kundër COVID-19”. 

Related Articles