AFP: Ndalimi i dinarit në Kosovë nxit kriza të reja

AFP: Ndalimi i dinarit në Kosovë nxit kriza të reja

Agjencia franceze e lajmeve AFP po raporton se Kosova është në prag të një krize të re me qeverinë që ndalon përdorimin e dinarit serb, pavarësisht se vendet perëndimore të alarmuara kanë paralajmëruar se mund të ndezë zjarr.

Shumë serbë në Kosovë punojnë për institucionet serbe me pagat, pensionet dhe transaksionet e tjera financiare në dinarë dhe jo në euro, monedha zyrtare e Kosovës.

Por nga e enjtja, Banka Qendrore e Kosovës ka urdhëruar që të përdoret vetëm euro.

Megjithatë, disa orë përpara se ndalimi i dinarit të hynte në fuqi, Prishtina u duk sikur u frenua nën presionin e Perëndimit.

“Ne nuk do të zbatojmë menjëherë masat ndëshkuese, por do të investojmë kohë në informimin e qytetarëve serbë” për ndalimin, tha në një konferencë për media zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Kishte shumë konfuzion sa që disa banka në komunitetet serbe anembanë veriut të Kosovës filluan të mbyllnin aktivitetet e tyre.

“Të gjithë po luajnë me ne. Askush nuk na thotë asgjë… Jam ngopur me politikën”, tha për AFP Zoran Iliq, një serb 45-vjeçar që jeton në qytetin e ndarë verior të Mitrovicës.

Aleksandra Jovanoviq, 37 vjeçe, i tha AFP-së se mbyllja e bankës së saj ka të ngjarë ta detyrojë atë të bëjë udhëtime më të gjata në një degë tjetër në Serbinë jugore.

“Nuk është normale, asgjë nuk është normale”, shtoi Jovanoviq.

“Ndikimi i drejtpërdrejtë”

Qeveria e Beogradit ka pasur për një kohë të gjatë një ndikim të madh me serbët e mbetur të Kosovës, pjesërisht duke ofruar paketa bujare financiare dhe punësimi.

Buxheti i Serbisë ndan afërsisht ekuivalentin e 120 milionë eurove në vit për shpenzimet për Kosovën, me analistët që thonë se vlera reale mund të jetë të paktën dyfishi i asaj falë transaksioneve joformale.

Kjo lidhje ka të ngjarë të jetë nën presion të shtuar në bazë të rregullave të reja, duke mos i lejuar në mënyrë efektive serbët të përdorin dinarin jashtë sistemit financiar të Kosovës.

“Serbët e Kosovës do të marrin goditjen më të madhe”, i tha AFP-së Boshko Jakshiq, një analist politik me qendër në Beograd. Dhe “pasojat diplomatike dhe politike do të jenë shumë më të rënda se ato monetare”.

Qeveritë perëndimore e kanë kritikuar masën si nxitëse, duke paralajmëruar se rregullorja ka të ngjarë të destabilizojë marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis serbëve dhe qeverisë së Prishtinës.

Viti i trazuar

Kosova – e cila miratoi euron në vitin 2002 edhe pse nuk ishte anëtare as e eurozonës dhe as e Bashkimit Evropian – e ka paraqitur lëvizjen kundër dinarit si një mjet për të luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe përdorimin e monedhave të falsifikuara.

Zëvendëskryeministri Bislimi këmbënguli se do të ndalonte fluksin e parave të parregulluara nga Serbia, duke thënë se “paratë vazhdojnë të lëvizin përtej kufijve shtetërorë në çanta dhe makina private, dhe më pas shpërndahen nëpër zyra të paregjistruara dhe të palicensuara”.

Qeveria serbe e ka kritikuar masën, me kryeministren Ana Bërnabiq duke thënë se rregulloret ka të ngjarë të prishin bisedimet e mbështetura nga BE që synojnë normalizimin e lidhjeve midis Beogradit dhe Kosovës “një herë e përgjithmonë”.

Rregullorja pason një vit të turbullt në Kosovë kur ndodhi një përleshje e armatosur midis të serbëve të armatosur dhe policisë në një manastir pranë kufirit serb në shtator, ku u vranë të paktën katër persona.

Partia më e madhe etnike serbe e Kosovës – Lista Serbe – paralajmëroi se targetimi i dinarit rrezikonte përshkallëzim, duke argumentuar se rregulloret e reja rrezikonin “mbijetesën fizike të popullit serb”. 

Related Articles