Agim Bahtiri, kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar pasi iu ndërpre tubimi në lagjen ‘Bair’.
Përmes një postimi në Facebook, Bahtiri ka thënë se tollovinë në tubim e shkaktuan përkrahësit e PDK’së, duke iu referuar atyre si “bandita”.
“Ndjej keqardhje për përkrahësit tonë, që sonte u sulmuan nga gangsterët e PDK-së në lagjen Bair, gjatë tubimit që po mbanim aty”, ka shkruar Bahtiri.
Reagimi i tij vjen pas raportimit të medies lokale ‘Jepi Zë’ në Mitrovicë se Bahtiri është përzënë nga lagja ‘Bair’ gjatë kohës sa kandidati për kryetar i VV’së po mbante tubim.
Postimi i plotë i Agim Bahtirit:
Ndjej keqardhje për përkrahësit tonë, që sonte u sulmuan nga gangsterët e PDK-së në lagjen Bair, gjatë tubimit që po mbanim aty.
Duhet ta dijë i madh e i vogël se kjo kohë ka shkuar. Kurrë më nuk do të përsëritet.
Po ndihem keq që po i jepni këtë fytyrë qytetit tonë të qetë, por ju veç po e tregoni fytyrën tuaj të vërtetë. Jo PDK, kështu nuk bëhet debati e as fushata!
Unë do t’i dalë zot Mitrovicës si 8 vitet e fundit!
AB