Ahmet Daku lirohet përfundimisht nga akuzat pas 10 vitesh: “Sot triumfoi drejtësia

Ahmet Daku lirohet përfundimisht nga akuzat pas 10 vitesh: “Sot triumfoi drejtësia

Pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth 10 vjet, Ahmet Daku ka bërë të ditur se është liruar përfundimisht nga të gjitha akuzat, pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Daku, përmes një reagimi publik, e ka cilësuar vendimin si një ditë të veçantë, të mbushur me krenari dhe emocion, duke theksuar se drejtësia mund të vonojë, por sipas tij, në fund triumfon.

“Pas një rrugëtimi 10-vjeçar, të gjatë e të vështirë, sot mora lajmin e mirë se nga Gjykata e Apelit jemi liruar përfundimisht nga të gjitha akuzat”, ka shkruar Daku.

Ai ka deklaruar se vendimi përbën, sipas tij, dëshmi se e drejta nuk mund të mposhtet dhe se e vërteta, pavarësisht sfidave, gjen rrugën e saj.

Në reagimin e tij, Daku ka shprehur gjithashtu mbështetje për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ai ka uruar që edhe ata të kthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre, duke theksuar rëndësinë që, sipas tij, kanë sakrifica e dëshmorëve në rrugën drejt lirisë së Kosovës.

Në fund të reagimit, Daku ka përcjellë mesazhin e tij për lirinë dhe sakrificën e luftës çlirimtare, duke e përmbyllur me thirrjen: “Liria ka emër – UÇK!”


Related Articles