Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) paralajmëroi se kompani vendëse, por edhe investitorë të huaj, janë duke e shqyrtuar mundësinë që të largohen nga Kosova për në vendet e rajonit, për shkak të liberalizimit të tregut të energjisë.
Gjatë fundjavës që shkoi, kompanitë që nuk kishin lidhur kontratë për furnizim të energjisë elektrike, u shkëputën nga rrjeti elektrik.
Kreu i AKB-së, Agim Shahini, e cilësoi si “goditje të rëndë dhe të padrejtë” ndaj ekonomisë së vendit. Sipas tij, mbi 200 kompani me mbi 10.000 punëtorë u shkëputën nga rrjeti elektrik, duke shtuar se dëmi është milionësh – ndonëse theksoi se nuk ka ende shifra të sakta për dëmet e shkaktuara.
“Kompanitë vendore janë duke e shqyrtuar mundësinë dhe janë duke tentuar që të dalin jashtë Kosovës”, tha Shahini, duke përmendur si arsye edhe infrastrukturën e shtrenjtë fizike, mungesën e institucioneve dhe të ligjeve që favorizojnë ekonominë dhe prodhuesit vendës.
Ahmet Kuqi nga kompania prodhuese Solid në Suharekë, tha se nëse nuk ndryshon situata dhe të ndalet zbatimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ai mund të bartë operimet në Shqipërinë fqinje.
Kompania ka hapur para dy muajsh një repart në Tiranë, ku ka bashkëpunim, por mund të bartë prodhimin në Kukës, ku veçse është një fabrikë – e cila aktualisht është e mbyllur.
Kuqi tha se kompania e tij veçse ka një kontratë me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për furnizim me energji elektrike. Ai pretendoi se kompania ka paguar 15.000 euro si garanci, por KEK-u nuk i ka dhënë shpjegim pse është kërkuar kjo shumë.
Megjithatë, Kuqi, që tha se shpreson që vendimi i ZRRE-së të zhbëhet, tha se prodhimin nuk mund ta ndalin, pasi edhe eksportojnë në vende të ndryshme të botës.
Lumnie Ajdini menaxhere në AKB tha se vendimi i ZRRE-së po prek edhe investitorët e huaj në Kosovë.
Ajo përmendi një ankesë të bërë nga kompania Simtex, e cila më 2020 kishte investuar në Kosovë 20 milionë euro.
Sipas Ajdinit, kjo kompani që merret me tekstil dhe që ka 146 punëtorë, për shkak të liberalizmit të tregut të energjisë është detyruar të largojë nga puna 30 punëtorë, dhe planifikon të largojë edhe dhjetëra të tjerë në fund të këtij muaji.
Kur kishte ardhur për të investuar në Kosovë, tha Ajdini, institucionet i kishin dhënë garanci se vendi ka çmimin më të ulët të rrymës në rajon, pagat e punëtorëve janë më të ulëta se në vendet tjera dhe se tatimi i të ardhurave është 10 për qind dhe nuk do të rriet më shumë
“Nëse kjo situatë nuk adresohet me urgjencë, jo vetëm kompania Simtex, por edhe shumë investitorë të huaj do të detyrohen të ndalojnë aktivitetin e tyre duke shkaktuar pasoja të rënda për ekonominë e vendit, punësimin dhe eksportin. Sepse e kanë diskutuar mundësinë që të kalojnë në vendet më të afërta të rajonit, ta bartin të gjithë teknologjinë dhe të shkojnë në vende të tjera, siç është Maqedonia e Veriut dhe shumë vende të tjera që u kanë ofruar kushte dhe politika më të favorshme fiskale”, tha ajo.
AKB-ja kërkoi ndalimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së, trajtim të barabartë të bizneseve dhe një periudhë më të gjatë tranzicioni, në mënyrë që të mbrohen bizneset. Kjo aleancë po ashtu paralajmëroi veprime ligjore kundër vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë.
Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.
Për të mos mbetur pa energji, bizneset janë furnizuar përkohësisht – në periudhën 1 qershor deri më 31 korrik – nga Korporata Energjetike e Kosovës, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tri të tjera janë në proces të licencimit.
Në mesin e tyre përfshihet edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe KEK-u.