Gëzim Mehmeti do të jetë kandidati që zëvendëson Selim Pacollin në garën për kryetar të Prishtinës, nga radhët e AKR-së, pasi këtij të fundit iu ndalua kandidimi nga KQZ.
Këtë e bëri të ditur Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.
“Unë mbështes fuqimisht kandidaturën e re të Gezim Mehmetit i cili si Drejtor i Infrastrukturës, vitet e fundit ka treguar udhëheqje të fortë për të ndjekur projektet e zhvillimit në Prishtinë, qofshin ato në zonat urbane apo rurale, çdo cep i Prishtinës e ka parë punën e tij. Me Gezimin si Kryetar, Prishtina do të ketë dikë që i njeh nevojat e qytetit dhe siguron udhëheqjen dhe vizionin për transformim. Çka është më rëndësi, pas gezimit do të qëndroj une, Selimi, asambleistët dhe i gjithe stafi i përzgjedhur për Prishtinën”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Pacolli foli edhe për pamundësimin e kandidimit të Selim Pacollit nga ana e KQZ-së, duke shprehur keqardhje, pasi sipas tij, Prishtina humbi një kandidat të përgatitur.
“Një ditë ishte vonesa e Selimit për të lajmeruar pasurinë e tij dhe kjo mjaftonte të merrej si arsye që ai, pas një angazhimi të madh, mos te mundet të garojë. Sa zhgënjyese është kjo që ndodhi dhe më vjen keq që Prishtina humbi një kandidat të përgatitur, me shumë vullnet dhe mbështetje kolosale për të ndryshuar Prishtinën duke zbatuar projektin AKR për një Prishtinë europiane, të pastër dhe funksionale.“
Tutje, Pacolli tha se Selimi kishte vizion ta kthente Prishtinën në një qytet modern.
“Selimi, kishte një vizion se si ta kthente Prishtinën në një qytet modern në të cilin qytetarët mund të kenë një jetë normale dhe bizneset të lulëzojnë.”