Aksident i rëndë me motoçikleta në Livoç të Ulët të Gjilanit, një person humb jetën – dy të tjerë në gjendje të rëndë

Aksident i rëndë me motoçikleta në Livoç të Ulët të Gjilanit, një person humb jetën – dy të tjerë në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në fshatin Livoç i Ulët, në komunën e Gjilanit, ku janë përfshirë dy motoçikleta. Si pasojë, dy persona janë lënduar rëndë dhe një tjetër ka ndërruar jetë.

Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 19:39, Policia e Kosovës ka pranuar njoftim për një aksident trafiku me të lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë përkatëse, përfshirë ndihmën e parë, Njësinë e Trafikut Rajonal dhe hetuesit e aksidenteve.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka deklaruar se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy motoçikleta, ndërsa tre persona kanë pësuar lëndime.

Të lënduarit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku sipas mjekëve, njëri prej tyre është sjellë pa shenja jete. Dy personat e tjerë kanë marrë lëndime të rënda, ku njëri është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë, ndërsa tjetri po vazhdon trajtimin në spitalin e Gjilanit.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa njësitet e trafikut rajonal po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat që çuan deri te ky aksident tragjik.

Related Articles