Një grua ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në rrugën magjistrale Kaçanik-Hani Elezit, tek vendi i quajtur “Kulla me qeshmë”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili njoftoi se vetura ka rënë në humnerë disa metra.
“Me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Kaçanik-Hani Elezit, tek vendi i quajtur “Kulla me qeshmë” , ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, ku është përfshirë një veturë. Ekipe të policisë, zjarrëfikësit dhe ambulanca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Nga hetimet e para mësohet se një veturë Nissan, derisa ka qarkulluar në magjistralen Kaçanik – Hani Elezit, në rrethana ende të pasqaruara ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rrugës, duke rënë në humnerë disa metra”.
“Si pasojë e këtij aksidenti një person e gjinisë femër, e moshës madhore ka humbur jetën, vdekja e së cilës është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve të Aksidenteve, e cila po e heton rastin Për të gjitha veprimet e policisë është njoftuar prokurori i shtetit”, thuhet tutje në konfirmim.