Aksidentohet autobusi në Vushtrri: Vdes shoferi, disa nxënës të lënduar

Aksidentohet autobusi në Vushtrri: Vdes shoferi, disa nxënës të lënduar

Një aksident me fatalitet ka ndodhur gjatë paradites së sotme në Vushtrri.

Aksidenti ka ndodhur gjatë transportit të nxënësve nga fshati Duboc, ku si pasojë ka humbur jetën shoferi i kësaj linje dhe janë lënduar disa nxënës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi.

“Në një aksident që ka ndodhur gjatë transportit të nxënësve nga fshati Duboc, komuna jonë ka humbur një burrë të ndershëm e një qytetar të përgjegjshëm, shoferin e kësaj linje, Hajzer Sadiku, ndërsa janë lënduar edhe disa nxënës, të cilët tashmë janë duke marrë trajtim në Emergjencën e Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri.
Në emër të Komunës tonë, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Sadiku, ndërsa nxënësve të lënduar ju uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai.

Më shumë detaje për rastin ka dhënë Policia e Kosovës. Nga Policia e Kosovës kanë thënë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit në Galicë të Vushtrrisë.

Për pasojë shoferi ka humbur jetën ndërsa janë lënduar shtatë pasagjerë. Viktima është një 59 vjeçar.

Deri te aksidenti sipas policisë ka ardhur nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugë.

“Një aksident trafiku me pasojë fataliteti është raportuar sot rreth orës 08:00, i shkaktuar në rrugën lokale në fshatin Galicë të Vushtrrisë.

Në aksident është përfshirë një veturë, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara rreth orës 11:00 nga SHSKUK-ja është raportuar se ka humbur jetën shoferi i automjetit viktima H. S., 59 vjeçar, ndërsa lëndime kanë pësuar edhe shtatë (7) pasagjeret që ndodheshin në automjet.

Nga hetimet e para të zhvilluara në vendngjarje, bëhet e ditur se si shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ku për pasojë vetura përfundon jashtë rruge. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, kanë thënë nga Policia e Kosovës

Related Articles