Aksion i policisë në tri rajone të Kosovës, arrestohen 11 persona për dallavere me patentë-shoferë

Aksion i policisë në tri rajone të Kosovës, arrestohen 11 persona për dallavere me patentë-shoferë

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në rajonin e Prishtinës, Gjakovës dhe Gjilanit ku ka arrestuar 11 persona, për dallavere me patentë-shoferë.

Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 10 lokacione të ndryshme si; shtëpi private, zyrat rajonale të MMPHI-së -koordinatorë/ekzaminerë dhe biznese me veprimtari të auto shkollës.

Në komunikatën e policisë të dyshuarit po hetohen për katër vepra penale.

“Hetimet për ketë rast kanë filluar muaj më parë me ç’rast janë aplikuar masat e veçanta të hetimit përmes të cilave janë arritur të sigurohen dëshmi të mjaftueshme për veprat penale ’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke u dëshmuar se njëmbëdhjetë të dyshuar meshkuj kosovarë në forma të ndryshme në vazhdimësi kanë ndihmuar kandidatë të shumtë për tu pajisur me patentë shofer të kategorive të ndryshme, me qëllim të përfitimit material për vete apo për persona të tjerë, gjithnjë në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se kanë konfiskuar armë, fishekë, para, telefona mobil, kompjuterë dhe dokumente.

“Gjate kontrollit janë sekuestruar provat si në vijim : – një AK47, dy revole, 224 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, para të gatshme (16.145 euro dhe 6660 franga zvicerane), 17 telefona mobil, 3 PC, 2 USB, si dhe dokumentacion relevant për procedurë të mëtejme hetimore”, ka bërë të ditur Policia.

Lidhur me rastin personat e dyshuar janë shoqëruar për intervistim dhe me vendim të prokurorit dhjetë prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 ore, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt./

Related Articles