Policia e Kosovës në Pejë ka njoftuar se ka arrestuar 10 persona që u kapën duke luajtur bixhoz në një lokal në rrugën “Bill Klinton”, në Pejë, raporton Gazeta Enigma.
Sipas policisë, në vendngjarje janë konfiskuar prova materiale si para dhe gjësende të tjera, një armë dhe 13 fishekë.
“Policia ka hyrë në lokalin ku dyshohej që zhvillohej aktiviteti i jashtëligjshëm dhe brenda lokalit janë hasur dhjetë (10) persona të dyshuar të cilët ishin duke luajtur lojëra të jashtëligjshme – bixhoz. Në vendngjarje, Hetuesit kanë gjetur dhe konfiskuar prova të mjaftueshme materiale (para dhe gjësende tjera) të cilat dëshmojnë aktivitetin joligjorë në fjalë. Po ashtu është konfiskuar një (1) armë zjarri: Revole e tipit CZ-100 me një (1) karikator dhe trembëdhjetë (13) fishek të kalibrit 9mm”, thuhet në njoftim.