Drejtësia në Kosovë pritet të ngrejë aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, brenda tre muajve të parë të vitit të ardhshëm, thonë burime të REL-it.
Sipas tyre, hetimet e këtij rasti janë duke vazhduar në mënyrë intensive, ndërsa aktakuzat për personat e përfshirë do të kompletohen gjatë vitit 2024.
Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Policia konfiskoi, po ashtu, sasi të madhe armatimi.
Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Serbia, me këtë sulm, tentoi ta aneksonte veriun e Kosovës – pretendime që i hodhi poshtë Beogradi zyrtar.
Në një intervistë dhënë REL-it më 29 shtator, Sveçla, tha se MPB-ja do të kërkojë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist” në Banjskë.
Atëkohë, Sveçla tha se hetimet kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në veri të Kosovës.
Ku gjendet Radoiçiq?
Autoritetet serbe thanë në muajin tetor se Radoiçiq është marrë në pyetje nga Prokuroria në Beograd për sulmin në Banjskë dhe se është ngarkuar me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi dhe ia konfiskoi dokumentet.
Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator, në Beograd, Radoiçiq tha se “personalisht” e ka organizuar sulmin në Banjskë dhe mohoi përfshirjen e autoriteteve shtetërore të Serbisë.
Më 7 dhjetor, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin, në lidhje me sulmin në Banjskë.
Ai tha se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
MPB-ja nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.
Kush është Radoiçiq?
Radoiçiq, 45 vjeç, ka lindur në Pejë.
Ai ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai dha dorëheqje prej partisë pas sulmit në Banjskë.
Emri i tij është përmendur edhe në rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, edhe në rastin e njohur si “Brezovica” që ka të bëjë me disa ndërtime pa leje.
Departamenti amerikan i Thesarit e sanksionoi atë në vitin 2021 për korrupsion dhe krim të organizuar.