Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore me të cilin nuk e kishe rrëzuar aktakuzën për rastin “Banjska” ku të akuzuar janë 45 persona, por vetëm tre prej tyre gjenden në paraburgim.
“Gjykata e Apelit e Kosovës- Departamenti Special, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve V. T., D. M. dhe B. S., ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë– Departamenti Special, PS.nr.79/24, të datës 06.12.2024, e ka vërtetuar”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Prishtinës kishte marrë vendim me të cilin e ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës ndaj të akuzuarve të grupit të Millan Radoiçiqit, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq të përfshirë sipas prokurorisë në sulmin terrorist në Banjskë më 24.09.2023.
Në këtë rast gjithsej të akuzuar janë 45 persona duke përfshirë edhe tre të lartcekurit që gjenden nën masën e paraburgimit.
Tre të akuzuarit për aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rastin e sulmit terrorist në Banjskë në seancën e shqyrtimit fillestar ishin deklaruar rreth fajësisë më 09.10.2024.
Pas deklarimit rreth fajësisë, të akuzuarit dhe mbrojtësit kishin kërkuar nga themelorja që të hudhet poshtë aktakuzë për arsyet të cilat mbrojtësit i kishin konsideruar si të arsyeshme për të rrëzuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policor dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq janë këta të akuzuar.
Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule steviq dhe personi juridik, “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, po ashtu të akuzuar për terrorizëm janë në paraburgim që nga shtatori i 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, prokurori i Speciales që udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-ës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje” – tha prokurori.
Tutje ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek financimi dhe shpëlarja e parave” – theksoi tutje prokurori.
Në konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale