Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit, së shpejti pritet të dalë para gjykatës lidhur me akuzën se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Nagavci po akuzohet se më 21 mars të 2018-ës, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë.
Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 30 korrik 2019.
Fillimisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatësit të Departamentit të Përgjithshëm në Divizionin Penal të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ertan Sejfulla, mirëpo i njëjti përmes një akti përcjellës të 2 marsit 2020, këtë lëndë e kishte përcjellë në Departamentin për Krime të Rënda.
“Me akte përcjellës me datë 02.03.2020 gjyqtari, Ertan Sejfulla nga DP në këtë gjykatë e ka përcjellë lëndën në DKR”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kurse, sipas programit të Smil-it lënda i ishte ndarë gjyqtarit Agim Kuçi, i cili kishte kërkuar përjashtimin e tij nga trajtimi i këtij rasti.
“Sipas vendimit GJA nr 495/2021 të datës 25.08.2021 me Aktvendim të Kryetares Albina Rama është aprovuar kërkesa e gjyqtarit Agim Kuqi për përjashtimin e tij nga ky rast penal pasi ai më parë në këtë çështje ka marr veprime si gjyqtar i procedurës paraprake”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Aktualisht kjo lëndë trajtohet nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.