Aktakuzë ndaj drejtorit të Emergjencës në SHSKUK

Aktakuzë ndaj drejtorit të Emergjencës në SHSKUK

Drejtori i Klinikës Emergjente në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Lenjani shumë shpejt pritet të dalë para gjykatës për t’u përballur me akuzat për veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë”.

Sipas aktakuzës së përpiluar në qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Lenjanin për mosraportim të saktë të pasurisë për vitin raportues në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), ashtu që i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij e po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumë mbi 5 mijë euro.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” rezulton të jete përpiluar më 24 qershor 2021.

Siç thuhet në aktakuzë, Basri Lenjani, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, po akuzohet se nuk e ka deklaruar saktë pasurinë për vitin raportues 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), në atë mënyrë që i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij Fatime Lenjani me emrin “OS ORAL DENT” e po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5,125.55 euro ku 2,763.13 euro i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK, ndërsa shumën prej 2,441.10 euro i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asociuar.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Related Articles