Liga Unike, eventi i përbashkët i basketbollit me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova, ka zhvilluar katër javët e para të sezonit të rregullt. Një aktivitet mbarëkombëtar që ka dhuruar ndeshje mjaft interesante, por që gjithashtu nuk po qëndron larg polemikave.
Arqile Gorea, presidenti i Teutës, skuadrës që kryeson kampionatin, në një intervistë për ‘Panorama Sport’ ka hedhur akuza të forta për ndërhyrje nga Federata Shqiptare në këtë aktivitet, kryesisht për pjesën e arbitrimit. Ndërhyrje për të cilat kreu i skuadrës bregdetare shprehet se e bëjnë të besojë se në këtë event kemi të bëjmë me manipulime dhe trukime të ndeshjeve, të cilat, siç dihet, kuotohen edhe në baste.
Gorea kërcënon deri me tërheqje nga gara, nëse Liga Unike nuk vepron si një institucion i pavarur.
Më konkretisht, cilat janë problemet që po hasni këtë sezon?
Dua të them që Liga Unike filloi mirë, ku u caktua një koordinator për arbitrat dhe menduam që kompeticioni do të ishte me organe të pavarura dhe një organizim krejt i veçantë. Menduam që autoriteti i padiskutueshëm i këtij eventi do të ishte z.Trebicka, por gjatë kësaj kohe kemi pasur turbullime gjatë rrugës. Për shembull, në ndeshjen që ne patën kundër Golden Eagle Yllit, kërkuam që arbitri Ervin Koçi të mos ishte pjesë e arbitrimit në ndeshjen tonë, sepse është një gjyqtar për të cilin kemi folur edhe më parë dhe mendojmë që nuk ka pasur qëndrime korrekte ndaj Teutës.
Për këtë unë i kërkova koordinatorit që ta zëvendësonte me një tjetër arbitër. Koordinatori deklaroi se kjo bëhet vetëm me urdhër të presidentit, z.Trebicka. Bisedova me këtë të fundit dhe u dakorduam, duke na vendosur një tjetër arbitër.
Por çfarë na ndodhi më vonë?
Mësojmë që koordinatori ishte shkarkuar nga z.Avni Ponari. Tani ky kompeticion Shqipëri-Kosovë varet nga liga apo nga z.Ponari?! Nuk i mjaftoi presidentit të FSHB-së emri Unika (Uniqa) i firmës së tij, por tani kërkon të sundojë edhe Ligën Mbarëkombëtare ashtu siç sundon Federatën Shqiptare të Basketbollit.
Pra, ju thoni që kemi ndërhyrje nga kreu i FSHB-së në Ligën Unike?
Sigurisht, këtu kemi të bëjmë me ndërhyrje flagrante. Përderisa ai merret me arbitrat më lind e drejta direkt të pyes se çfarë interesi ka që merret me emërime dhe shkarkime gjyqtarësh?!
Cili është konkluzioni, sipas jush, i këtyre ndërhyrjeve?
Atëherë, duke parë këtë mënyrë të vepruari, unë mendoj që janë të vërteta fjalët që qarkullojnë, që ndeshjet trukohen dhe manipulohen. Pas fjalëve trukim apo manipulim, vjen edhe konkluzioni logjik…
A marrin pjesë ndeshjet tona në baste?
Nga të gjithë specialistët që kemi pyetur na kanë thënë që po. Atëherë, mos ka diçka këtu që nuk shkon dhe që kërkohet të menaxhohet në mënyrë të njëanshme… sepse kjo sjell shumë pasoja, e para nuk kemi drejtësi në gjykimin e ndeshjeve. E dyta, ne jemi një shoqatë e pavarur basketbolli, që aderojmë dhe kontribuojmë në federatë, sipas kuotave të caktuara. Gjithashtu, kemi të drejtën tonë edhe të refuzojmë dhe jo vetëm të bindemi. Në fund të fundit, në raporte, nuk kemi pse të marrim ne urdhëra arbitrar nga njerëz që nuk japin asnjë kontribut për basketbollin, përkundrazi kanë përfitime nga ky sport kaq i bukur dhe kërkojnë të ndërhyjnë në mënyra nga më të shëmtuarat.