Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar të mërkurën se lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite, pasi sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin ende dëshiron të kontrollojë gjithë Ukrainën.
Stoltenberg ka thënë se edhe pse Rusia tani është duke e përqendruar sulmin e saj në lindje të Ukrainës, NATO-ja nuk ka parë asnjë shenjë se qëllimi i Putinit për ta pushtuar gjithë Ukrainën ka ndryshuar, raportoi CNN-i.
“Ne nuk kemi parë asnjë shenjë se presidenti Putin ka ndryshuar ambicien e tij për të kontrolluar të gjithë Ukrainën dhe gjithashtu për të rishkruar rendin ndërkombëtar, kështu që ne duhet të jemi të përgatitur për një periudhë më të gjatë. Duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë se kjo mund të zgjasë për shumë muaj apo edhe vite”, ka thënë Stoltenberg në konferencën për shtyp të mbajtur përpara një takimi të ministrave të jashtëm të aleatëve të NATO-s në Bruksel.
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen të mërkurën dhe të enjten për të diskutuar rritjen e mbështetjes për Ukrainën. / Gazeta Enigma.