Alban Hyseni: Nuk na u dha asnjë arsyetim nga policia pse u ndaluam në kufi

Alban Hyseni: Nuk na u dha asnjë arsyetim nga policia pse u ndaluam në kufi

Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni, ka folur rreth ndalesës nga policia serbe që iu bë atij, deputetit Luan Aliu dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku, në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, derisa ishin duke shkuar në Bujanoc për ngushëllime tek kryetari Nagip Arifi, të cilit i kishte vdekur vëllai.

Hyseni tha se atyre nuk iu dha asnjë arsyetim lidhur me këtë.

“Pas më shumë se 2 orë pritje, na u lejua të vazhdojmë udhëtimin tonë, pa na u dhënë asnjë arsye se pse jemi ndalur në këtë pikë kufitare. Ata të diskriminojnë e të ndalin në kufinjë pa arsye, duke përdorur figura politike e qytetarë për tensionimin edhe më tej të situatës së brishtë që gjendemi tani”, tha Hyseni.

Ndalimi i tyre u bë pikërisht në ditën kur në Bruksel, po takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ku temë diskutimi është plani franko-gjerman.

Related Articles