Albert Bunjaki rrëfen për Enigmën emocionet e ndeshjes historike para 8 viteve, Kosova – Haiti

Albert Bunjaki rrëfen për Enigmën emocionet e ndeshjes historike para 8 viteve, Kosova – Haiti

Më 5 mars të vitit 2014, Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë kishte marrë pamjen e një stadiumi evropian pasi që ishte arena e përballjes së parë historike ndërkombëtare.

Miqësorja mes Kombëtares së Kosovës dhe Haitit ishte luajtur para tetë viteve, kjo ishte ndeshja e parë kontrolluese  e cila ishte nën monitorimin e FIFA-s, shkruan Gazeta Enigma.

Ky ballafaqim historik kishte përfunduar me rezultatin e barabartë, pa gola. “Dardanët” në këtë ndeshje historike ishin paraqitur më këtë njëmbëdhjetëshe: Samir Ujkani, Loret Sadiku, Avni Pepa, Fanol Perdedaj, Kristian Nushi, Shpëtim Hasani, Enis Alushi, Ardian Gashi, Anel Rashkaj, Ilir Azemi dhe Albert Bunjaku.

Redaksia e Gazetës Enigma e ka kontaktuar ish-trajnerin e përfaqësueses kosovare, Albert Bunjakin, i cili ishte nën drejtimin e ekipit atë kohë.

Bunjaki është rrëfyer duke treguar emocionet të cilat i kanë përjetuar së bashku me të gjithë protagonistët.

“5 Marsi i vitit 2014, ndeshja kundër Haitit, ka qenë një ndër ndeshjet me emocionale të cilën unë e kam përjetuar dhe gjithë ata të cilët kemi qenë protagonist të kësaj ndeshje për shumë arsyeje. Njëra ndër arsyet ka qenë simbolikisht thyerja e izolimit me dekada të sportit në Kosovë”.

“Nëse e krahasoj ndeshjen e parë më Finlandën e cila ka qenë zyrtarisht për pikë, apo Kroacinë e Ukraina ose cilado, unë mendoj që as për së afërmi nuk i afrohet ndeshjes kundër Haitit e cila ka pasur emocione të papara. Pra, prej hotelit kur jemi nisur e deri në Mitrovicë, rrugët kanë qenë të mbushura me tifozë. Dy orë para se të fillonte loja, stadiumi ka qenë i mbushur. Nuk mundem me përshkru me fjalë se çfarë ndjenje e çfarë atmosfere ka qenë”, ka rrëfyer Bunjaki për Enigmën.

Ish-selektori i Kosovës ka treguar se para se të pranohesh të luanin ndeshje miqësore nën monitorimin e FIFA-s, grumbullimi i ekipit kishte qenë i kotë.

“Për mua si trajner ka pasur absolut një rëndësi të veçantë, ngase nga 5 vite si selektor dhe punës në hije, ku kryesisht jam marrë me organizim të brendshëm edhe me seleksionim të futbollistëve ka pasur rendësi të madhe që të lejoheshim të luanim ndeshje miqësorë ndërkombëtare”.

“Ishte e kotë që nëse nuk do luanim ndeshje ndërkombëtare atëherë edhe grumbullimi do ishte i kotë. Pra, në aspektin sportiv ka qenë një ndër ditët më të rëndësishëm për krijimin e përfaqësueses, ndërsa në aspektin profesional ka qenë ndjenjë e veçantë dhe fantastike të jesh trajner në ndeshjen e parë historike”, vazhdoi Bunjaki.

Për fund Albert Bunjaki ka treguar një moment ‘interesant’ nga ndeshja historike kundër Haitit.

“Ka shumë tregime interesante nga kjo datë historike sepse ka qenë një ndeshje e veçantë. Pas lojës kundër Haitit, temperaturat kanë qenë 3 grad, kurse lojtarët nuk kanë pasur ku të pastrohen pasi që dusha nuk kanë funksionu dhe të gjithë lojtarët janë përgatitur shpejt dhe e kemi marrë rrugën për në hotel në Prishtinë që të bënim dush. Por, asnjëherë askush nuk është ankuar ose të e thotë ndonjë fjalë. Të gjithë kemi qenë të një mendimit se në çfarëdo kushte do luajmë të jemi krenarë për mundësinë e dhënë”, përfundoi Albert Bunjaki

Kujtojmë që Albert Bunjaki është rikthyer të punojë në Federatën e Futbollit të Kosovës, ku është angazhuar si drejtor teknik në vend të larguarit Michael Ness.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles