Sulmuesi kosovar Albion Rrahmani ka lënë gjurmë në derbin e madh çek mes Slavia Pragës dhe Spartës, duke realizuar një gol të bukur, megjithatë goli i tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e ekipit të tij.
Ndeshja, e vlefshme për xhiron e tretë të fazës së plejofit në elitën e futbollit çek, u zhvillua të shtunën dhe përfundoi me fitoren 2-1 të Slavias ndaj Spartës së Pragës.
Rrahmani u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë dhe vetëm dhjetë minuta më vonë, në minutën e 56-të, barazoi shifrat në 1-1 pas një pasimi të saktë nga bashkëkombësi i tij, Ermal Krasniqi.
Goli i tij nga afërsia u vlerësua për precizitet dhe vendosmëri.
Krasniqi u largua nga loja në minutën e 82-të, ndërkohë që në fushë për Spartën u paraqitën edhe Qazim Laçi nga minuta e 68-të dhe Indrit Tuci nga minuta e 73-të.
Ky ishte goli i dhjetë sezonal për 24-vjeçarin Rrahmani, i cili po ashtu ka regjistruar edhe tri asistime deri më tani në kampionatin çek.