Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka përshëndetur dënimin e parë të një rasti të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin, për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore. Ambasada e Britanisë ka përshëndetur këtë vendim, ndërkohë që ka thënë se është moment historik.
“Ne mirëpresim shpalljen e dënimit të parë për krimin e dhunës seksuale të kryer gjatë konfliktit nga Gjykatat e Kosovës. Ky është një moment historik i rëndësishëm për Kosovën dhe viktimat e dhunës seksuale”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.