‘Ambasadorët në Beograd kanë shprehur shqetësimet për mundësinë e përshkallëzimit të situatës’

‘Ambasadorët në Beograd kanë shprehur shqetësimet për mundësinë e përshkallëzimit të situatës’

Në mëngjesin e sotëm, forcat ushtarake serbe janë vërejtur duke bartur artileri të rëndë pranë kufirit me Kosovën.

Gazetari Idro Seferi në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka bërë të ditur se ambasadorët e shteteve të huaja në Beograd i kanë shprehur shqetësimet e tyre për një përshkallëzim të mundshëm të situatës.

“Dihet që Serbia përgjatë gjithë kufirit më Kosovën, përfshirë zonat afër Nishit, por edhe në Novi Pazar, Rashkë dhe Bujanovc, ka baza të mëdha ushtarake. Natyrisht që gjendja është më e vëmendshme në këtë kohë sidomos kur po afrohet data 1 nëntor kur është folur shumë për mundësi tensionesh ose përshkallëzim të situatës në veri”.

Sipas tij, nuk ka ndonjë njoftim nga ministria e Mbrojtjes së Serbisë nëse ka vërtete ndonjë angazhim shtesë.

“Me sa e di unë, bëhet fjalë për disa mijëra trupa të Serbisë që gjenden në këto zona. Nganjëherë lëvizin nga një pjesë në pjesën tjetër, por nuk mund të them nëse ka ndonjë plan të vërtetë me këto armatime”.

Ai ka shtuar se në tensionet e mëparshme është parë kur janë paraqitur edhe tanke në rrugët e Serbisë në afërsi me kufijtë e Kosovës.

“Por, pritet të shihet i gjithë reagimi nëse do të ketë ndonjë marrëveshje rreth çështjes së targave dhe si do të zhvillohet kjo situatë”.

“Edhe grupi i QUINT-it dhe ambasadorët në Beograd pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë kanë alarmuar dhe i kanë dhënë një dokument ku flitet për Kosovën, por edhe për shqetësimet që ata kanë shprehur për mundësinë e përshkallëzimit të situatës dhe kjo natyrisht që ka shqetësuar edhe një pjesë të opinionit në Serbi, dhe jo vetëm në Kosovë”.

Related Articles