Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk do të ishte model unik, dhe se shembuj të një Asociacioni të tillë tashmë ekzistojnë në zonat multietnike në Evropë.
“Ideja e këtyre bisedimeve është që Kosova dhe Serbia të përgatiten për të ardhmen evropiane dhe mendoj se është ajo çfarë mund të shohim në shoqëritë multietnike në mbarë Evropën, ngjashëm me atë që është menduar në Kosovë, e bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk do të ishte një shembull unik, pasi modele të ngjashme ekzistojnë në pjesë tjera të Evropës”, tha Hill kur është pyetur pse Shtetet e Bashkuara nuk po e shtyjnë para procesin e formimit të Asociacionit.
Ambasadori amerikan në Serbi i është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve që ia parashtronin përmes Twitterit.